Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, bashkëshortja e Jakup Krasniqit, Sevdije Krasniqi, ka rrëfyer përjetimet e familjes pas dënimit, duke thënë se deri në momentin e fundit kishin shpresuar për një vendim pafajësie.
Në një intervistë për gazetaren e Top Channel, Kristi Gongo, ajo tha se vendimin e kishte ndjekur nga shtëpia dhe se rezultati ishte i papritur për familjen.
“Ne kishim shpresë se do të shpalleshin të gjithë të pafajshëm. Vendimin e kemi pritur në shtëpi. Momenti i vendimit ishte shokues, nuk e prisnim. Kush janë ata 4 persona që po dënohen? Ata janë krerët e UÇK-së. Historia nuk do të helmohet nga asnjë vendim. UÇK-ja ka luftuar për liri. Ky vendim as nuk ndikon dhe as nuk duhet të ndikojë në jetën e Kosovës”, tha Sevdije Krasniqi.
Ajo u shpreh se familja do të presë procesin e Apelit dhe kërkon ndryshimin e vendimit dhe lirimin e të dënuarve.
“Ne kërkojmë lirimin e tyre, do të presim Apelin. Besoj se tani do të bazohen në fakte. Tani dihet që ndërmarrja e përbashkët kriminale është udhëheqja e Serbisë bashkë me gjyqtarët e Gjykatës Speciale që dhanë këtë vendim”, u shpreh ajo.
Gjatë intervistës, Sevdije Krasniqi foli edhe për marrëdhënien e saj me Jakup Krasniqin dhe mënyrën se si ishte njohur me të. Ajo tregoi se në atë kohë ai ndodhej në burg.
“Ma propozoi një shoqe e ime dhe më tha: ‘Ia vlen ta presësh profesor Jakupin’. Unë e prita dhe, pasi doli, ne u bëmë bashkë. I kam thënë Jakupit që nuk të kam ardhur në burg atëherë, por në Hagë do të të vij çdo muaj…”, tregoi ajo.
Për bashkëshorten e ish-kreut të UÇK-së, një nga momentet më të vështira ka qenë mungesa e tij në ngjarjet e rëndësishme familjare gjatë viteve që ai ka qëndruar në Hagë.
“E kam përjetuar shumë rëndë kur kemi pasur gëzime në shtëpi, që ai nuk ka mundur t’i përjetojë”, tha Sevdije Krasniqi.
Ajo rrëfeu gjithashtu se familja kishte pritur kthimin e tij në shtëpi dhe se së bashku kishin bërë plane për jetën pas përfundimit të procesit gjyqësor.
“Ne e prisnim në shtëpi, kishim bërë plane. Madje, me Jakupin kishim thënë që do të iknim të dy të jetonim në një shtëpi në fshat”, pohoi ajo.
Duke folur për qëndrimin e bashkëshortit të saj ndaj procesit gjyqësor, Sevdije Krasniqi tha se ai kishte shprehur dyshime për mënyrën se si po zhvillohej çështja, duke iu referuar edhe arrestimit të tij.
“Duke parë si rrodhën gjërat, tha: ‘Nuk besoj shumë, sepse është gjykatë raciste’, nga mënyra si na kanë arrestuar, kur vetë ai ka mundur të dorëzohet. Pra, një arrestim si në kohën e ish-Jugosllavisë, madje edhe më rëndë”, deklaroi ajo.
Pas vendimit të shkallës së parë, familja e Krasniqit thotë se shpresat tashmë janë te procesi i Apelit dhe kërkon që të përdoren të gjitha rrugët ligjore.
“Ne kërkojmë që të përdoren të gjitha mjetet ligjore për zhbërjen e kësaj gjykate. Ne po shpresojmë në Apel. Kjo gjykatë nuk duhet të ketë më të drejtë të merret me luftëtarët tanë. Ne kemi përballuar gjenocid”, u shpreh Sevdije Krasniqi.
Në fund të rrëfimit, ajo përcolli edhe mesazhin e saj për bashkëshortin në këtë periudhë të vështirë.
“Unë Jakupit i them të qëndrojë i fortë, ashtu siç ai është”, tha ajo.


