AKTUALITET /

Kërcënohet kryeinspektori Dashnor Sula, bën denoncim në polici

Në një intervistë televizive, Sula tha se dy ditë më parë është paraqitur në polici, pasi kishte marrë mesazhe dhe telefonata kërcënuese.

Shkruar nga Versus

Kërcënohet kryeinspektori Dashnor Sula, bën denoncim në

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka deklaruar se është kërcënuar për shkak të detyrës dhe se për këtë ka bërë kallëzim në Policinë e Elbasanit.

Sula tha se dy ditë më parë është paraqitur në polici, pasi kishte marrë mesazhe dhe telefonata kërcënuese.

“Para dy ditësh kam shkuar në Policinë e Elbasanit, kam bërë denoncim, pikërisht sepse më vijnë mesazhe kërcënuese, më kanë marrë në telefon me kërcënime. Kam marrë dhe nuk kam frikë. Nuk kam frikë, se nuk i kam borxh njeriu”, deklaroi ai.

Sula theksoi se, pavarësisht presioneve, do të vijojë detyrën dhe paralajmëroi se kontrollet do të vazhdojnë.

“Ju garantoj që nuk do të shpëtojë asnjë inspektor. Pavarësisht presioneve që kam, po them që kam pasur presione”, u shpreh Inspektori i Përgjithshëm.

Ai foli edhe për rastet kur emri i tij mund të përdoret nga inspektorë apo drejtues të strukturave të inspektimit për të justifikuar vendime apo veprime.

“Nuk ka më ‘për shefin’, të paktën për mua, këtu lart. Dhe po ju them që sfidën që unë kam, e kam me veten time”, tha Sula.

Gjatë intervistës, ai u ndal edhe te marrëdhënia me kryeministrin Edi Rama, i cili gjatë viteve të përplasjeve politike në Parlament dhe fushatave elektorale i është referuar Sulës edhe si “gjeli i Peqinit”.

Sula tha se i ka lënë pas këto përplasje dhe vlerësoi emërimin e tij në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm.

“Dua të jem 1000 herë faqebardhë para shqiptarëve, 100 herë me Edi Ramën, sepse ai burrë më riktheu dinjitetin”, deklaroi Sula.

Sipas tij, detyra i ka dhënë mundësinë të tregojë vlerat e tij profesionale dhe morale dhe të lërë pas një emër të mirë për familjen e tij./Versus.al

Poll