
Deputetja e PS, Iris Luarasi, ka rikthyer në vëmendje incidentin e ndodhur disa ditë më parë, kur u përndoq nga një grup protestuesish teksa po shkonte drejt Kuvendit.
Duke folur për ndikimin e rrjeteve sociale dhe mënyrën se si përhapet përmbajtja online, Luarasi tha se videoja e incidentit mori miliona shikime, ndërsa pas publikimit të saj u regjistruan edhe komente që ajo i cilësoi si potencialisht të dhunshme.
“Një javë më parë, teksa po vija drejt seancës plenare, u përndoqа nga një grup që më ngjanin me pionerët e Enverit, që ulërinin fyerje që mendoj se nuk i meritoj”, deklaroi Luarasi.
Sipas deputetes socialiste, pas publikimit të videos, emri i saj u përmend në qindra artikuj dhe postime në rrjetet sociale.
“Ajo që pasoi u monitorua në mënyrë të pavarur, publikim pas publikimi. Në pesë ditë emri u përmend në 708 artikuj, në 64 media online, në 134 llogari të emërtuara. Shtrirja e përgjithshme 14.9 milionë, shikimet 4.8 milionë. 80% e të gjithë kësaj ndodhi brenda 48 orëve”, tha ajo.
Luarasi deklaroi se nga monitorimi ishin evidentuar rreth 730 komente ndëshkuese ose potencialisht të dhunshme.
Sipas saj, në këto komente kishte thirrje për burgosjen, zhdukjen, varjen, djegien apo pushkatimin e saj.
Deputetja e PS-së e solli këtë rast si shembull të ndikimit që mund të kenë algoritmet dhe përhapja e shpejtë e përmbajtjeve në rrjetet sociale, duke argumentuar se problemi qëndron edhe te ajo që ndodh pas publikimit të një videoje./Versus.al

