“Mos na merrni edhe të dhënat e kalamajve”, Korreshi në Kuvend: Ne nga fshati jemi akoma te parmenda, ju po na çoni te AI

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka kritikuar përdorimin e inteligjencës artificiale dhe projekteve të digjitalizimit, duke e cilësuar si të papërshtatshëm aplikimin e tyre në një realitet ku, sipas tij, mungojnë edhe shërbimet bazë.
Duke folur për situatën në zonat rurale dhe qendrat shëndetësore, Korreshi tha se ka institucione që nuk kanë energji elektrike dhe pajisjet minimale për të funksionuar.
Korreshi ironizoi edhe projektet e inteligjencës artificiale, duke iu referuar rastit të “Diellës”, si dhe vendosjes së kamerave në shkolla dhe në hapësira të tjera publike.
Korreshi: Ne nga fshati jemi akoma te parmenda, ju po na çoni te Inteligjenca artificiale. Unë kam parë që qendrat shëndetësore nuk kanë as poç, nuk ka shkuar as energjia elektrike. Si do bëj ajo infermierja apo doktoresha në këto qendra shëndetësore, për të hyrë te sistemi juaj. Me ça mrrokulle do hyjnë. Do dali në pazar të gjejë një kamer me inteligjencë artificiale? Kjo është inteligjenca juaj artificiale.
E nisët me Diellën, morët ca lekë. Aktorja tha më hiqni surratin se më morët më qafë. Kjo është situata. Pastaj ju thoni do vëmë kamera nëpër shkolla, kamera këtu e atje. Ore i keni parë ndonjëherë sistemet sot si funksionojnë? Shkoni te Kadastra, 3 muaj nuk punonte ASHK se s’punonte mrrokulla. I morëm mrrokullat nga Lushnja në kurriz e i çuam në Fier. Ju keni sahatët në rrugë, po i shkel lopa, po i ha gomari, ju thoni Smart City. Mos na merrni edhe të dhënat e kalamajve, se s’ka patronazhistë tuajët që s’na dinë edhe numrin e këmbës, me çorape të grisura apo jo, i kemi prerë thonjtë apo jo. Që në mëngjes atë punë bëjnë .
/vizionplus.tv




