Policia Kombëtare spanjolle ka shkatërruar një organizatë kriminale me origjinë shqiptare, e cila vepronte kryesisht në Costa del Sol dhe kishte kthyer Katalonjën në një prej bazave të saj logjistike për magazinimin e sasive të mëdha të kokainës.
Operacioni ka çuar në arrestimin e 15 personave dhe sekuestrimin e më shumë se 2.7 tonë kokainë. Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar gjithashtu rreth 800 gramë tusi, dy armë zjarri dhe 29 automjete të nivelit të lartë.
Sipas hetuesve, organizata kishte bazën kryesore në Costa del Sol, ndërsa përdorte Katalonjën për të magazinuar përkohësisht ngarkesat e drogës përpara se ato të transportoheshin drejt vendeve të tjera evropiane.
Një prej pikave kryesore të zbuluara nga policia ishte një vilë luksoze në Sant Just Desvern, pranë Barcelonës, ku në garazh u gjetën 1.351 kilogramë kokainë.
Prona merrej me qira vetëm për periudha të shkurtra, në disa raste edhe për vetëm një fundjavë, me qëllim që aktiviteti kriminal të ishte sa më i vështirë për t’u zbuluar.
Pozicioni gjeografik i Katalonjës, pranë kufirit me Francën, e kishte kthyer këtë zonë në një pikë të rëndësishme për transportin e ngarkesave të drogës drejt tregjeve të tjera evropiane.
Makina luksoze për transportin e drogës
Hetuesit kanë zbuluar se grupi kishte krijuar edhe një strukturë të lidhur me tregtinë e automjeteve dhe dispononte një flotë makinash të fuqishme e luksoze, të cilat dyshohet se përdoreshin për transportin e drogës.
Sipas policisë spanjolle, anëtarët e organizatës merrnin masa të forta për t’iu shmangur survejimit. Në disa raste, ata kanë përshkuar më shumë se 2.000 kilometra brenda një dite, duke lëvizur në kolona me deri në pesë automjete.
Hetuesit kanë dokumentuar gjithashtu raste kur automjetet kanë lëvizur me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë.
Sipas hetimeve, kokaina vinte nga Kolumbia dhe fillimisht kalonte përmes zonës së Campo de Gibraltar. Më pas ngarkesat dërgoheshin drejt pikave të magazinimit në Spanjë, përpara se të transportoheshin më tej drejt vendeve të tjera të Evropës.
15 të arrestuar, 12 në paraburgim
Operacioni është rezultat i një hetimi që kishte nisur në vitin 2025 dhe u zhvillua në disa faza.
Më 10 prill, policia zhvilloi kontrolle në Málaga, Estepona, Marbella dhe Churriana, ku sekuestroi 1.434 kilogramë kokainë, rreth 800 gramë tusi, dy armë zjarri dhe disa automjete.
Në të njëjtën kohë, autoritetet kontrolluan edhe vilën në Sant Just Desvern, ku u zbuluan 1.351 kilogramët e tjerë të kokainës.
Hetimet vijuan gjatë muajve pasues, me arrestime në Alicante, Málaga dhe Barcelona, ndërsa autoritetet punuan edhe për identifikimin dhe lokalizimin e personave që ishin larguar nga Spanja.
Në total janë arrestuar 15 persona, ndërsa 12 prej tyre janë dërguar në paraburgim, sipas raportimeve të mediave spanjolle.
Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu shuma parash cash, bizhuteri, ora luksoze, kriptoaktive dhe pasuri të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin e organizatës.
Sipas autoriteteve spanjolle, grupi kishte një strukturë të organizuar, me lidhje familjare mes disa prej anëtarëve dhe përdorimin e personave të tjerë si emra formalë për marrjen me qira të pronave dhe automjeteve.
Hetuesit dyshojnë se organizata ishte e specializuar jo vetëm në magazinimin e kokainës, por edhe në transportin e saj në distanca të gjata dhe shpërndarjen drejt tregjeve të tjera evropiane.
Operacioni ka goditur një rrjet kriminal që, sipas hetuesve spanjollë, kishte krijuar një strukturë të sofistikuar logjistike mes Costa del Sol dhe Katalonjës.
Autoritetet spanjolle kanë theksuar se Katalonja nuk duhet të shërbejë si strehë për krimin e organizuar.


