Analisti Adri Nurellari, i ftuar në emisionin “Ora 19” me moderatoren Armela Ferko në SYRI TV, ka komentuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mënyrën se si është trajtuar çështja e përgjegjësisë së tyre.
Nurellari argumentoi se në këtë proces është aplikuar, sipas tij, një formë e përgjegjësisë kolektive dhe jo vetëm përgjegjësi individuale për raste konkrete.
“Këtu kur flitet për përgjegjësi kolektive, flitet për rishkrim të historisë. Se ata po akuzoheshin dhe të dënoheshin jo për përfshirje të tyre personale në ngjarje, por sepse ishin në krye të hierarkisë së UÇK-së”, deklaroi ai.
Sipas Nurellarit, kjo qasje bie ndesh me disa prej përfundimeve të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, i krijuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
Ai tha se Tribunali kishte rrëzuar më herët pretendimin për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe për karakterizimin e UÇK-së si një ushtri konvencionale që ushtronte kontroll territorial në kuptimin e një ushtrie shtetërore.
‘Këtu kur flitet për përgjegjësi kolektive, flitet për rishkrim të historisë.
Se ata po akuzoheshin dhe të dënoheshin jo për përfshirje të tyre personale në ngjarje, por sepse ishin në krye të hierarkisë së UÇK-së.
Dhe kjo gjë shkon ndesh me vendimet, me verdiktet e një gjykate më sipërore, më të rëndësishme që është ajo e Tribunalit të Krimeve të ish-Jugosllavisë të krijuar prej OKB-së, Këshillit të Sigurimit, e cila tashmë e kishte rrëzuar pretendimin se ka një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe se ka një ushtri që kishte kontroll territori, ushtri konvencionale si me qenë ushtria e një shteti.
Pra këtu kemi një kthim prapa dhe kemi një akuzë kolektive dhe shkon ndesh totalisht me çfarë është pretenduar kur është krijuar kjo gjykatë.
Ishte mashtrim juridik. Domethënë si mund të mendohet që një guerila, lëvizje partizane, në kushte mbijetese, që fitoi zemrat e botës perëndimore, aleatët e saj u bashkuan në luftë, që mandej pastaj me të mbaruar lufta në mënyrë vullnetare u çarmatos, mori pjesë në demilitarizim, në demobilizim dhe rehabilitim të trupave, që ka pasur një plan kriminal mundësisht mes luftës ku as nuk e dinin a do mbijetonin apo jo.
Domethënë kjo është e paimagjinueshme dhe kjo nuk prek vetëm shqiptarët e Kosovës dhe kombin tonë, po prek çdo luftë çlirimtare në historinë e njerëzimit.
Janë dhjetëra shtete të OKB-së të cilat janë krijuar falë një lufte çlirimtare të një populli të okupuar që në kushtet e mbijetesës me aq çfarë kishin mundësi, me çfarë kishin hapësirë janë ngritur shpesh në luftime guerile dhe partizane dhe kanë dëbuar okupatorët, janë dekolonizuar.
Pra thelbi këtu është, pavarësisht çfarë janë bërë si shpjegime ose justifikime nga gjykata, verdikti është i bardhë në të zi, flet për ndërmarrje të përbashkët kriminale. Si mund të quhet një ushtri çlirimtare ndërmarrje e përbashkët kriminale?!
Tjetër gjë është përgjegjësia individuale personale për raste konkrete, e tjetër gjë që atyre iu faturua, atyre iu faturua çdo keqtrajtim, çdo i burgosur, çdo shkelje, çdo krim që mund të jetë bërë nga njerëz me uniformën e UÇK-së kudo në Kosovë edhe madje edhe në Shqipëri.
Pra këtu nuk ka përgjegjësi individuale, këtu është vënë përgjegjësi kolektive dhe u theksua që këtë ata e kishin jo se ishin të përfshirë vetë individualisht në këto raste, se tërë këto raste janë trajtuar në gjykatat e mëparshme, por sepse ata ishin në krye të hierarkisë.’, tha ndër të tjera Adri Nurellari në SYRI TV.
© SYRI.net