Nuk është rastësi, që, fill pas vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës, u cituan vargje nga “Lahuta e malcis” së Fishtës, sidomos vargjet: “Uh! Europë, ti kurva e motit,/Qi i rae mohit besës e Zotit,/Po a ky â shêji i gjytetnís:/Me dá tokën e Shqypnís/Për me mbajtë klysht e Rusís?” Tani s`është problem copëtimi, shitje kufijsh, por përçarja, që kinse patriotët po tentojnë të bëjnë me rapsodira e qeleshe. Fishta të gjithë fajin ia vë Evropës, ndërsa Kimete Berisha drejton gishtin edhe tek të vetët: “Serbia bëri aktakuzën, por shqiptarët iu bënë dëshmimtarë... Ka diçka më të frikshme se urrejtja e armikut: gëzimi i përbashkët me të. Armiku feston. Ti i bashkohesh. Dhe fitoren e tij e quan tënden.” Lahuta e Fishtës bie era barut dhe gjëkundi s`ndihet era e shampanjës.
Nëse i rikthehesh Lahutës së Malcis, Fishta të duket më i qartë nga të gjithë politikanët e sotëm, nga analistë e portalistë po e po, përfshi dhe ca trapa që na hiqen për orakuj. Këta të fundit shfaqen si me telekomandë. Fishta e ka të qartë pse Hashim Thaçi u burgos, sikurse e kishte pse Oso Kuka hodhi veten në erë për t`mos iu dorëzuar malazesëve apo pse Ded Gjo Luli u vra në pritë nga serbo-malasezët? Të tre janë viktimë të së njëjtës dorë, sikurse ishte dhe vetë Fishta i ndaluar këndej dhe matanë kufirit. Fishta nuk ishte shoven, sikurse e etiketuan, as sllavofob, sikurse dhe Hashim Thaçi. Shoveni të rrëmben toka, është agresiv. Shkjau iu vardis shqiptarit dhe s`po e lë me ngre kryet, ankohet Fishta: “Gjithmonë sherr, gjithmnë bela.”
Nëse ai mallkon, sikurse është ky varg: “Moskovit që iu thaftë hovi”, na ka nda në Kongres së Berlinit, e “ka pleqnue që Shqipëria do dahet” dhe a do i dalë Rozafës për zot shkodrani Oso Kuka, sikurse i doli Hashin Thaçi? Por, aty ku s`bën punë trimërija e Milosheviçit: hyn dredhija e Vuçiçit, “Me qit fitme ndër shqiptarë”, sikurse shkruan Fishta, duke përmendur dhe korruptimin me para. Në librin e tij me kujtime, Eqerem bej Vlora, thotë se Esaat Pashë Toptani e dorëzojë Shkodrën kundrejt një shume parash. Dhe e treta që sllavët përdorin kundër shqiptarëve është dasia, shkruan Fishta tek “Lahuta e malcis”, veri-jug dje apo shqiptar-kosovar, sikurse sot.
Sipas Fishtës, edhe “Koha e s`bardhës ka perëndue”, se në vend të shpatës ka hy pushka, në vend të perëndisë-ari dhe në vend të drejtësisë-leverdija, ku Evropa vetë jep shembullin e para, ndërsa zanat e malit i luten perëndisë që me eshtrat e fatosëve të dikurshme të ngjallen kreshnikët e rinj. Ndaj Mujin dhe Halilin Fishta i zëvendësoi me Oso Kukën (Kuvendi i Berlinit) dhe Dedë Gjon Lulin (Kuvendu i Londrës) deri sa të mbërrijmë tek Hashim Thaçi (Gjykata Speciale e Hagës), ndërkohë që lahuta ia ka lënë vendin çiftelisë. Oso Kuka hodhi veten në erë, ndaj i thonë dhe Oso baruti, Ded Gjo Luli u vra në pritë nga serbë e malazesë, Hashim Thaçi dënohet me 25 vite. E njëjta skemë eliminimi. Nëse Oso Kuka dhe Ded Gjo Luli humbën trojet dhe jetën, Hashim Thaci fitoi Kosovën dhe humbjen e lirisë me 25 vite burg, nëse ky dënim qendron në fuqi. Ky është dallimi, që Fishat e besonte se do të vinte: “Prapë zojë më vedi duel Shqypnia”,/“Për inat të shkjeve të Ballkanit, për gazep të atij Sulltani.” Me krijimin e shteti të Kosovës kjo ky inat u dyfishua.
Tek Lahuta e Fishtës nuk mund të mos bëj përshtypje ky fakt: Abdyl Frashëri, kryetar i delegacionit të Lidhjes së Prizrenit, u përpoq ta bindte kryetarin e Kongresit të Berlinit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Kancelari jo vetëm e refuzoi, por na hoqi vizën si komb, ndërkohë që knjaz Nikolla edhe pse i veshun si lyps pranohet në kuvend. Ankesat e tij të përvajshme prekin zemrat e koncelarëve dhe “cubi na doli zotni?!”-shkruan Fishta. Krajl Nikolla pi verë, ha gështenja të pjekuna dhe bisedon me të shoqen, të cilën e sheh me petka mbretërore. “Ma dollamë nuk ke me veshë/por krejt në arë ke me shëndrit.../Ajo rri pa za/Me gjylpër çorapë me ba.”
Kimete Berisha me gojën plotë shprehet: “Mua më shpëtoi UCK-ja” shoqëruar me indinjatën ndaj vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës: “Kuvendi i Kosovës, i bindur se UÇK-ja ishte e pastër, i themeloi Dhomat Speciale. Nuk e dinte, s’kishte si ta dinte, se Gjykata Speciale mund të shndërrohej në një sheriat të frikshëm në mes të Evropës...Vendimi për dënimin e tyre, i mbështetur në “besim”, “përshtypje” e “gojëdhëna”, është sheriat. E kjo që ka ndodhur në Hagë është sheriat evropian.” Se kush fut fitila mes shqiptarëve dihet, që merrte para dhe kjo s`është më e fshehtë, por që Evropa të shkeltë mbi besimin e shqiptarëve s`është hera e parë. Dredhitë e saj i ka denoncuar Fishta tek Lahuta e Malcis. Ajo që të bën përshtypje, të gjithë ata që e përdorin Fishtën kundër regjimit diktatorial, duke i qarë hallin për censurimin e veprës së tij, thartohen nga fryma e Lahutës së Malcis, nga zemërimi i tij ndaj të shiturve, dredharakëve dhe ata që fusin grndje mes shqiptarëve. Lahuta e Malcisë fillon me betejën për mbrojtjen e Vrinës, ishull në liqenin e Shkodrës, nga Oso Kuka që tani i përketë Malit të Zi. Përsëri del një ishull dhe ky është Sazani. Mos dhe ky po i trazon ujërat?
Lini një Përgjigje