web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rikonstruksioni i Kombinat–Ndroq–Plepa, shpallet fituesi i Lotit 3 me ofertë rreth 10 milionë euro

17 Shtator 2026, 20:34, Ekonomi CNA

Rikonstruksioni i Kombinat–Ndroq–Plepa, shpallet fituesi i Lotit 3

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur G.P.G. COMPANY fituese të tenderit për “Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa, Loti 3”, me një ofertë prej 950.3 milionë lekësh, ose rreth 10 milionë euro.

Fondi limit i procedurës ishte 1.365 miliardë lekë pa TVSH, i barasvlershëm me rreth 14.5 milionë euro sipas kursit të përdorur nga ARRSH në dokumentet e tenderit. Kontrata ka një afat zbatimi prej 24 muajsh.

Dokumentacioni teknik i vendosur në dispozicion për Lotin 3 e përcakton segmentin e tretë nga km 9+655 deri në km 14+009, pjesë që përfshin zonën e Ndroqit. Relacioni teknik i projektit parashikon në hyrje të Ndroqit, në segmentin km 10+300–10+800, ndërtimin e dy urave me gjatësi 124 metra secila, për kalimin e lumit Erzen.

Projekti parashikon rikonstruksionin e rrugës ekzistuese me përmirësime të gjurmës dhe të profilit të saj. Sipas parametrave të projektimit, pjesa kaluese është parashikuar me dy korsi nga 3.75 metra dhe bankina të asfaltuara nga 1.5 metra, ndërsa shpejtësia e projektimit varion nga 50 në 100 kilometra në orë.

Loti 3 është faza e tretë e prokuruar deri tani për këtë aks. Loti 1 u tenderua në vitin 2024 me fond limit 754.97 milionë lekë pa TVSH dhe afat 24 muaj. Në prill 2025, ARRSH njoftonte se punimet për këtë fazë ishin në zhvillim dhe se pas saj do të vijonte me dy fazat e tjera.

Në korrik të këtij viti ARRSH hapi edhe Lotin 2, me fond limit 1.178 miliardë lekë pa TVSH, ose 12.52 milionë euro, dhe afat zbatimi 24 muaj. Dokumentacioni teknik e përcakton këtë lot nga km 4+802 deri në km 9+655, me gjatësi rreth 4.85 kilometra./ Monitor





Lajmet e fundit nga