Ricardo Staudt, krijues 22-vjeçar i përmbajtjeve për të rritur, i njohur në rrjetet sociale me emrin Noah Segsy, është gjetur pa shenja jete në një pishinë në Paralimni të Qipros.
Staudt, i cili kishte të paktën 300 mijë ndjekës në rrjetet sociale dhe ishte i njohur për publikimin e përmbajtjeve në platformën OnlyFans, u nxor pa ndjenja nga pishina e një kompleksi apartamentesh më 24 gusht, rreth orës 21:20.
Sipas raportimeve të mediave lokale, 22-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, u shpall i vdekur.

Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur në informacionet e publikuara deri më tani.
Pas lajmit për vdekjen e të riut, një mik i nënës së tij ka hapur një fushatë në GoFundMe për mbledhjen e fondeve të nevojshme për shpenzimet e funeralit dhe varrimit.
“Me zemër të thyer po ju shkruaj, pasi shoqja ime ka pësuar një humbje të paimagjinueshme. Djali i saj i dashur është marrë shumë shpejt. Le të punojmë së bashku për të siguruar që djali i saj të mund të nisë udhëtimin e tij të fundit dhe t’i thotë lamtumirën e fundit me dinjitet”, thuhet në apelin për mbështetje.
Sipas të dhënave të publikuara nga organizatorët e fushatës, deri më 15 shtator ishin mbledhur më shumë se 20 mijë euro.
Rrethanat e plota të ngjarjes dhe shkaku i vdekjes së 22-vjeçarit mbeten për t’u përcaktuar.


