Alket Rizai vijon të jetë në arrati prej katër ditësh, pasi nuk është kthyer në burgun e Domokosit pas përfundimit të lejes së tij të daljes, e cila skadoi mëngjesin e së hënës.
Policia greke ka intensifikuar kërkimet për gjetjen e të dënuarit shqiptar, i cili dyshohet se është përfshirë në një incident me armë zjarri të regjistruar në orët e para të së dielës pranë një beach bari në Anavyssos.
Ekipet e Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me strukturat e policisë lokale, po zhvillojnë kontrolle në zona të ndryshme për lokalizimin e Rizait, por deri tani kërkimet nuk kanë dhënë rezultat.
Ndërkohë, autoritetet greke kanë ngritur edhe pistën se Rizai mund të ketë kaluar ilegalisht në Shqipëri. Sipas burimeve të policisë greke, sinjali i fundit i vendndodhjes së tij është regjistruar në veri të Greqisë, në një zonë pranë kufirit nga ku dyshohet se mund të ketë kaluar në territorin shqiptar.
Megjithatë, autoritetet greke theksojnë se bëhet fjalë për një pistë hetimore, e cila deri tani nuk është konfirmuar.
Mediat greke raportojnë se gjatë incidentit në Anavyssos, Rizai dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Për këtë ngjarje, ndaj tij janë ngritur akuza që lidhen me armëmbajtjen dhe përdorimin e armës në rrethana të rënda, vepra të cilat në Greqi konsiderohen krime të rënda.
Çështja e re penale është hapur në një moment kur Rizai ishte pranë përfundimit të periudhës së vuajtjes së dënimit. Gjatë pesë viteve të fundit, ai kishte përfituar gjithsej 16 leje daljeje nga burgu.
Alket Rizai është një emër i njohur për autoritetet greke dhe është lidhur prej vitesh me Vasilis Paleokostas, një prej figurave të njohura të botës kriminale në Greqi.
Paralelisht me kërkimet për Rizain, policia greke po punon edhe për lokalizimin e një shtetasi afgan, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë dhe ka plagosur persona gjatë përplasjes në Anavyssos.
Sipas hetuesve, shtetasi afgan kishte lidhje me biznesin pranë të cilit ndodhi incidenti me armë zjarri.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e vendndodhjes së dy personave të kërkuar.


