Ministria e Infrasktuturës dhe Energjisë e drejtuar nga Enea Karakaçi, ka injoruar urdhrin paraprak të Arbitrit të Emergjëncës së Arbitrazhit që i kërkonte qeverisë që të ndalojë veprime të tjera lidhur me përfundimin e kontratës me koncensionarin e Aeroportit të Vlorës. Ministria deklaroi hyrjen në fuqi të prishjes së njëanshme të kontratës duke i hapur rrugën përsëritjes së një skenari, si ai me biznesmenin italian Francesko Beketti, me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit.
SYRI TV
Koncensioni i aeroportit të Vlorës pritet të përfundojë në tribunalin e arbitrazhit ndërkombëtar, duke rrezikuar përsëritjen e një skenari si ai me sipërmarrësin italian Francesco Bekketi, me pasoja të rënda financiare për buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e drejtuar nga Enea Karakaçi, pasuesi i Belinda Ballukut në këtë post, ka njoftuar këtë të enjte, hyrjen në fuqi të zgjedhjes së kontratës së koncensionit duke deklaruar se tashmë kjo cështje mund të kalojë menjëhërë në tribunalin e arbitrazhit. Një ditë më parë Arbitri i Emergjencës i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, nxori një urdhër paraprak në çështjen e hapur nga MABCO Constructions kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Urdhri ndalon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të ndërmarrë veprime të tjera lidhur me përfundimin e kontratës që mund ta përkeqësojnë konfliktin ose ta bëjnë të pavlefshme procedurën. Por ministria e Karakaçit ka nxituar ta shpallë si fitore të saj vendimin e Arbitrit të Emergjencës, duke I hapur rrugën defacto shqyrtimit të çështjes në Arbitrazh.
Arbitri rrëzoi kërkesën kryesore të VIA-s për të pezulluar si zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit, ashtu edhe zbatimin e Njoftimit për Zgjidhje, sipas kushteve të gjerësisht jashtëkontraktore të kërkuara nga VIA. Arbitri i Emergjencës ra dakord me MIE se as Kontrata, as provat e paraqitura nuk ofronin bazë të mjaftueshme ligjore për ta bërë këtë.
Si rrjedhojë, zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi.
Arbitri rrëzoi gjithashtu kërkesat e VIA-s për të detyruar MIE të marrë pjesë në ndërmjetësim dhe të caktojë një ndërmjetës, si dhe për të shtyrë fillimin e arbitrazhit për dy muaj të tjerë. Rrëzimi i këtyre kërkesave konfirmon se mosmarrëveshja, në të cilën MIE do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri qëndrimin e saj, tani mund të kalojë menjëherë te tribunali i arbitrazhit.
I vetmi lehtësim i dhënë ishte një masë e përkohshme afatshkurtër. Arbitri i Emergjencës urdhëroi MIE që, përkohësisht, të mos ushtrojë të drejta të caktuara që lindin pas zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit. Arbitri theksoi se masa është afatshkurtër dhe do të mbetet në fuqi vetëm derisa të konstituohet tribunali i arbitrazhit dhe të jetë në gjendje ta shqyrtojë çështjen.
Por vendimin e Arbitrit të Emergjëncës e ka lexuar ndryshe Presidenti i kompanisë MABCO Behgjet Pacolli, investitori dhe financuesi i projektit të Aeroportit të Vlorës. Në një reagim në rrjetet sociale, Pacolli thotë se urdhri paraprak i arbitrit të emergjeëncës i kërkon qeverisë që të përmbahet nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë këtë procedure.
Më 16 shtator 2026, arbitri i emergjencës e ICC-së, nxori një urdhër paraprak që i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të përmbahet, gjatë procedurës së emergjencës, nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë këtë procedurë. Ky urdhër duhet respektuar.
I bëj thirrje Qeverisë që të rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të krijojë kushtet për një dialog institucional dhe konstruktiv.
MABCO NUK KA SYNUAR zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes ARBITRAZHIT. Përmes më shumë shkresave, tentativave për takim, thirrjeve për veprime konstruktive dhe shmanjen e pëngesave, kemi kërkuar vazhdimisht zhvillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje civilizuese që do të mundësonte vazhdimin e punimeve dhe përfundimin e aeroportit.
Pacolli thekson se përfundimi i kësaj vepre dhe vënia e saj në shërbim të qytetarëve, turizmit dhe ekonomisë shqiptare do të ishte në interes të publikut dhe do të shmangte shpenzime të konsiderueshme për procedura ligjore.
© SYRI.net