Futbolli shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta, në moshën 97-vjeçare, të ish-futbollistit të Vllaznisë, Partizanit dhe Kombëtares shqiptare, Esat Bushati.
Lajmi është bërë i ditur nga KF Vllaznia, e cila përmes një njoftimi në faqen zyrtare ka shprehur ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e Bushatit, duke vlerësuar kontributin e tij për fanellën kuqeblu gjatë viteve ’40-’60.
Bushati ka qenë pjesë e Vllaznisë, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur gjithashtu për Partizanin dhe Kombëtaren shqiptare. Klubi shkodran e cilëson atë si një prej mbrojtësve më të mirë të asaj periudhe.
Në nderim të ish-futbollistit, homazhet do të zhvillohen ditën e premte, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”.
Njoftimi i Vllaznisë:
“KF Vllaznia shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 97-vjeçare të ish-futbollistit të klubit tonë Esat Bushati, i cili ka dhënë një kontribut të madh për fanellën 🔴🔵 në vitet ’40-’60.
Përpos karrierës me Vllazninë, ka luajtur me sukses edhe për Partizanin dhe Kombëtaren shqiptare, duke qenë një nga mbrojtësit më të mirë të atyre viteve.
Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen ditën e premte, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”.
I përjetshëm qoftë kujtimi yt, Esat Bushati!”


