Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Haga e bëri fajtor, Hashim Thaçi i drejtohet popullit dhe sfidon Gjykatën: Të bëhen publike provat për vrasjen e Heroit të Kosovës, Behajdin Allaqi

Shkruar nga Newsbomb
Haga e bëri fajtor, Hashim Thaçi i drejtohet popullit dhe sfidon
Ilustrim: Behajdin Allaqi dhe Hashim Thaçi

Ish-presidenti i Kosovës dhe një nga katër ish-drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare që mbahen në qelitë e Hagës, Hashim Thaçi i është drejtuar publikisht popullit të tij përmes avokatit dhe kërkon nga qytetarët që të ruajnë qetësinë, pas padrejtësisë së djeshme.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u shpallën fajtorë për disa akuza nga Dhomat e Specializuara dhe janë dënuar me në total 81 vite burg. Një vendim i turpshëm, pasi akuzat kryesore për krime kundër njerëzimit ranë.

Një ndër akuzat themelore, por e kundërshtuar fort nga avokati dhe vetë Hashim Thaçi, është ajo për vrasjen e veprimtarit, intelektualit dhe luftëtarit Behajdin Allaqi. Ai është shpallur edhe Hero I Kosovës, ndërsa fati i tij nuk dihet.

Avokati thotë se Paneli i Gjykimit e ka shpallur publikisht zotin Thaçi fajtor për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat u bazua ky përfundim i ka mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik. Gjithashtu, Paneli i Gjykimit më parë kishte urdhëruar të gjitha palët në çështje që të mos diskutonin për rastin e z. Allaqi në seancë publike dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me atë rast të mbaheshin konfidenciale.

Në këto kushte, gjendur përballë kësaj akuze të rëndë, Hashim Thaçi ka kërkuar nga qelitë e Hagës që provat të bëhen publike dhe populli i Kosovës të njihet me to, duke sfiduar drejtpërdrejt Gjykatën e Hagës, pasi ai pretendon se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Behajdin Allaqit.

"Për më tepër, dje Paneli i Gjykimit pretendoi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi më parë kishte urdhëruar të gjitha palët në çështje që të mos diskutonin për rastin e z. Allaqi në seancë publike dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me atë rast të mbaheshin konfidenciale.

Kështu, Paneli i Gjykimit e ka shpallur publikisht z. Thaçi fajtor për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat u bazua ky përfundim i ka mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave.

Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Panelit të Gjykimit për shkak të shkeljes së të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës. Z. Thaçi mohon kategorikisht çdo përfshirje në vrasje.

Respektimi i standardeve rigoroze të drejtësisë procedurale është thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut te institucionet ndërkombëtare penale. Mbrojtja do të dorëzojë zyrtarisht Njoftimin e Apelit para Panelit të Apelit, me qëllim korrigjimin e këtyre gabimeve faktike, ligjore dhe procedurale", ka shkruar Luka Mishetiq, avokati kryesor i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Kush ishte Behajdin Allaqi?

Behajdin Allaqi, i lindur më 7 prill 1963 në Prizren, ishte veprimtar politik dhe pjesë e organizimeve politike shqiptare që prej viteve ’80. Ai mori pjesë në demonstratat e vitit 1981 dhe më pas në veprimtarinë ilegale që synonte avancimin e statusit politik të Kosovës. Gjatë viteve ’90 vazhdoi aktivitetin në strukturat e lëvizjes kombëtare dhe më vonë iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Allaqi u zhduk më 11 qershor 1998. Trupi i tij nuk është gjetur. Për më shumë se 28 vjet, familjarët, bashkëveprimtarët dhe figura të ndryshme publike kërkuan sqarimin e rrethanave të arrestimit, zhdukjes dhe vrasjes së tij. Përgjatë kësaj kohe qarkulluan akuza dhe dëshmi të ndryshme, por mungonte një konstatim gjyqësor që përcaktonte përgjegjësi individuale. Aktgjykimi i 16 shtatorit ndryshon pikërisht këtë pjesë të historisë së çështjes.

Haga e bëri fajtor, Hashim Thaçi i drejtohet popullit dhe sfidon
Pjese nga dosja e Dhomave te Specializuara te Hages

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese