Pamjet e publikuara nga avokati Arben Llangozi tregojnë momentet e para të konfliktit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 të Sarandës, pranë hyrjes së shëtitores.
Në video duket se një debat mes disa të rinjve përshkallëzohet brenda pak çastesh në përplasje fizike, ndërsa më pas në konflikt përdoren edhe mjete prerëse.
Nga ngjarja mbetën të plagosur tre persona, vëllezërit Elidon dhe Mario Shukulli, si dhe Andi Saliaj. Të tre të dëmtuarit u transportuan në Spitalin e Sarandës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa Elidon Shukulli u nis drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Pas ngjarjes, Policia njoftoi arrestimin e tre personave të dyshuar, Kamelo Aliajt, Andi Saliajt dhe Eduard Bajramit.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, konflikti dyshohet se ka nisur për motive të dobëta. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e konfliktit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.


