Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Klestor Veseli, djali i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i janë bashkuar protestës së zhvilluar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë protestës, Endrit Thaçi falënderoi qytetarët shqiptarë për mbështetjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa deklaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e pastër.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për mediat për bashkëpunimin dhe raportimin e zhvillimeve të fundit.
“Dua t’i falënderoj të gjithë popullin shqiptar për mbështetje, jemi falënderues shumë. Populli është me UÇK-në, ushtria është e pastër”, deklaroi Endrit Thaçi.
Në protestë mori pjesë edhe Klestor Veseli, djali i Kadri Veselit. Ai u shpreh se pajtohet me deklaratën e Endrit Thaçit dhe u bëri thirrje gazetarëve që t’u japin zë qytetarëve të mbledhur në protestë.
“Nuk kam asgjë me shtu prej asaj që e tha Endriti. Ju ftoj t’i drejtoni mikrofonat, dëgjojeni popullin çka thotë”, tha Veseli para gazetarëve.
Protesta në Prishtinë është zhvilluar pas vendimit të Gjykatës Speciale, me pjesëmarrësit që kanë shprehur mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së dhe kundërshtimet ndaj vendimit të dhënë në Hagë.


