Një gruaje nga Kosova i ka buzëqeshur fati në Kanada, pasi ka fituar 1 milion dollarë në lotarinë Lotto Max, ndërsa për javë me radhë nuk e kishte kontrolluar biletën fituese.
Drita Zeqiri, e cila jeton në Winnipeg, kishte blerë biletën për shortin e 31 marsit 2026, por më pas e kishte harruar atë në çantën e saj.
Fati i saj ndryshoi krejtësisht kur, disa kohë më vonë, e gjeti rastësisht biletën teksa ishte duke bërë pazar së bashku me nusen dhe nipin e saj.
Zeqiri ia dorëzoi biletën arkëtarit të dyqanit për ta skanuar, por në fillim nuk e kuptoi se kishte fituar çmimin e madh.
“Kur pashë ekranin, mendova se kisha fituar një dollar”, tregoi ajo, sipas Yahoo.
Por reagimi i arkëtarit e bëri të kuptonte se bëhej fjalë për një shumë shumë më të madhe.
“Arkëtari tha: ‘Ka më shumë zero!’ Nuk mund ta besoja – një milion! Fillova të bërtisja dhe të kërceja nga gëzimi”, rrëfeu Zeqiri.
Duke folur për emocionet pas fitores, ajo tha se ardhja në Kanada kishte qenë deri atëherë momenti më i lumtur i jetës së saj, ndërsa tashmë fitorja e lotarisë është hera e dytë që përjeton një gëzim të tillë.
“E para ishte kur erdha në Kanada. Ishte ëndrra ime. Tani kam fituar 1 milion dollarë. Kanadaja është vendi më i mirë në botë, me njerëzit më të mirë në botë”, tha ajo.
Pas konfirmimit të lajmit, Zeqiri, nusja e vëllait dhe nipi i saj u larguan nga dyqani për të festuar së bashku fitoren e papritur.
Një biletë e harruar në çantë, të cilën ajo për pak kohë mund të mos e kishte kontrolluar fare, rezultoi kështu në një fitore prej 1 milion dollarësh.


