Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka mbrojtur sot në Kuvend projektligjin e ri për pagat e magjistratëve, duke thënë se përcaktimi i tyre është kompetencë ekskluzive e Kuvendit.
Gogu pranoi se afati i 31 korrikut i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për ndryshimet ligjore ka kaluar dhe tha se shumica ka ardhur sot për të mbushur boshllëkun ligjor të krijuar, jo për ta komentuar apo anatemuuar.
Sipas tij, pyetja kryesore që ka udhëhequr projektin është se kush vendos për pagat e gjyqtarëve? Ai tha se përgjigjen e ka dhënë vetë Gjykata Kushtetuese, e cila ka përcaktuar qartë se detyrimi për të miratuar ndryshimet ligjore i takon Kuvendit, jo qeverisë, këshillave apo ministrit.
Duke e quajtur parim themelor të arkitekturës së pagave në Republikë, ministri deklaroi se asnjë kategori nuk mund të ketë diskrecionin t'i caktojë vetes pagën.
"Paga e gjyqtarit kalon vetëm nga një derë. Paga e magjistratit kalon vetëm nga një derë. Paga e doktorit, e infermierit, e zjarrfikësit kalon vetëm nga një derë. Dhe ajo derë është ligji", u shpreh ai.
Gogu theksoi se Kuvendi ka dy detyra sot: të mbrojë pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe njëkohësisht të mbrojë çdo qindarkë të qytetarëve që paguajnë për atë drejtësi. Sipas tij, buxheti i shtetit nuk është dollap me shumë sirtarë, por ka vetëm një arkë, e cila është arka e qytetarëve shqiptarë dhe ruhet nga Kuvendi.
Kujtojmë se përplasja për pagat e magjistratëve nisi pas vendimit nr. 15 të Gjykatës Kushtetuese të 17 shkurtit 2026, e cila pranoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve dhe shpalli antikushtetuese formulën e vitit 2023 që e lidhte pagën e magjistratëve me 36% të pagës së Presidentit, duke e konsideruar si "ulje të fshehur".
Kushtetuesja i la afat Kuvendit deri më 31 korrik 2026 për të miratuar formulën e re. Pasi afati kaloi pa një ligj të ri, KLGJ dhe KLP miratuan në fund të gushtit vendimet e tyre duke përcaktuar pagën referuese në 222.425 lekë plus 14 mijë lekë për kualifikimin.
Ministria e Financave refuzoi të ekzekutojë pagat e gushtit sipas kësaj formule të re dhe bllokoi pagesat në Thesar, duke kërkuar zbatimin e formulës së vjetër. Kjo solli reagimin e ashpër të KLGJ, Unionit të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve, të cilët e quajtën situatën të paprecedentë dhe kërkuan ekzekutimin e menjëhershëm të pagave, ndërsa çështja është dërguar edhe në SPAK dhe në Gjykatën Administrative.
