Merz dhe Trump në një bisedë telefonike, çfarë diskutuan liderët për Ukrainën dhe Hormuzin
Kancelari gjerman Friedrich Merz zhvilloi të enjten një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, ku diskutuan luftën në Ukrainë, si dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Kuq.
Sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, dy liderët diskutuan hapat e mëtejshëm për përfundimin e luftës në Ukrainë. Merz gjithashtu përgëzoi Kongresin amerikan për miratimin e Aktit të Sanksioneve Graham.
“Kancelari dhe presidenti diskutuan hapat e mëtejshëm drejt përfundimit të luftës në Ukrainë. Kancelari Merz përgëzoi Kongresin për miratimin e Aktit të Sanksioneve Graham”, tha Kornelius.
Në fokus të bisedës ishte edhe situata në Ngushticën e Hormuzit dhe në Detin e Kuq. Sipas zëdhënësit, Merz dhe Trump ranë dakord se të dyja rrugët ujore duhet të rihapen sa më shpejt.
“Situata në Ngushticën e Hormuzit dhe në Detin e Kuq ishte gjithashtu një temë diskutimi. Pati dakordësi që të dy rrugët ujore duhet të rihapen shpejt”, shtoi Kornelius.
Gjatë telefonatës, dy liderët kujtuan edhe sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, 25-vjetori i të cilave u shënua javën e kaluar. Merz theksoi gjithashtu lidhjen e veçantë mes popullit gjerman dhe atij amerikan.
Biseda ishte planifikuar fillimisht për javën e kaluar, me rastin e përvjetorit të sulmeve të 11 shtatorit, por qeveria gjermane e anuloi pa dhënë një arsye dhe më pas e ricaktoi.
Telefonata u zhvillua gjithashtu në një moment tensionesh të fundit mes Berlinit dhe Uashingtonit, pasi Trump kishte komentuar pozitivisht rezultatin zgjedhor të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në landin lindor të Saksonisë-Anhalt.
Komentet e presidentit amerikan shkaktuan reagim nga qeveria gjermane. Koordinatori transatlantik i qeverisë, Metin Hakverdi, deklaroi: “Ne gjermanët vendosim vetë se si do të merremi me migracionin dhe gjithashtu për kë do të votojmë. Nuk kemi nevojë për këshilla nga Shtëpia e Bardhë për këtë”.
BE i jep Ukrainës 3.3 miliardë euro për raketa dhe dronë
SHBA shqyrton tërheqjen e rreth 25 mijë trupave amerikane nga Evropa
Trump dhe Sheinbaum diskutojnë marrëveshjen tregtare SHBA-Meksikë
- 07:46 BE i jep Ukrainës 3.3 miliardë euro për raketa dhe dronë
- 07:32 SHBA shqyrton tërheqjen e rreth 25 mijë trupave amerikane nga Evropa
- 07:23 Këshilli i Evropës lançon udhëzues për të zbuluar diskriminimin nga inteligjenca artificiale
- 07:17 Trump dhe Sheinbaum diskutojnë marrëveshjen tregtare SHBA-Meksikë
- 07:14 Rusia dhe Kina bllokojnë rezolutën e SHBA-së për Iranin
- 01:05 Rama për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve: Gjykata Kushtetuese nuk na thotë dot si votojmë