web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Berisha, me dy qëndrime për Gjykatën Speciale/ Ish-deputeti: Dokrra për përfitime politike

18 Shtator 2026, 08:13, Politikë CNA

Berisha, me dy qëndrime për Gjykatën Speciale/ Ish-deputeti:

Ish-deputeti demokrat, Edmond Spaho, ka reaguar lidhur me dy qëndrimet e shprehura nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, lidhur me votimin e Gjykatës Speciale.

Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Spaho shprehet se përtej përfitimeve të ngushta të klasës politike shqiptare mbi këtë çështje, me rëndësi është që prej atij votimi të jetë e fituar Kosova.

Spaho shprehet se pas vendimit të dhënë këtë javë nga Gjykata e Hagës për katër ish-krerët e UÇK-së, Berisha i doli kundër Speciales, për të cilën dha mbështetje disa vite më parë, që sipas ish-deputetit është një akt i turpshëm.

Reagimi i plotë:

Nisur nga verdikti i Tribunalit të Hagës për 4 ish-drejtuesit e UÇK-së, sot kam shkruar se klasa politike shqiptare çdo zhvillim në Kosovë e shikon të lidhur ngushtë me zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe përfitimet ngushtësisht të sajat.

Dhe besoj që nuk kam gabuar.

Për politikën shqiptare ka rëndësi se sa mund të liftohet apo të përfitojë ajo nga zhvillimet politike në Kosovë. A fiton Kosova nga qëndrimet e partive politike shqiptare, kjo pak rëndësi ka për ta.

Zoti Berisha, dhe ne që ishim pas tij, jemi nga të parët që kemi mbështetur krijimin e Tribunalit të Hagës duke filluar nga vitet 2015-2016.

E bëmë këtë të bindur që për Kosovën nuk kishte rrugë tjetër veçse të pranonte verdiktin ndërkombëtar, përndryshe do të krijohej një Tribunal i OKB-së, i cili do ta penalizonte Kosovën mjaft rëndë. Këtë vendim e morëm pas diskutimeve në të gjitha organet drejtuese të PD-së.

Kaq e vërtetë është kjo që po shpreh, saqë zoti Berisha jo vetëm u shpreh publikisht në favor të krijimit të Tribunalit të Hagës, si dhe publikoi më 28.06.2015 gjashtë arsyet se përse Parlamenti i Kosovës duhet ta votojë krijimin e Tribunalit, por kohë më parë ai kishte votuar në Këshillin e Europës krijimin e komisionit të posaçëm të Dick Marty-t për të verifikuar "krimet" që UÇK-ja kishte kryer gjatë luftës për çlirimin e Kosovës.

Sot po më rrotullohet tavani kur shoh kolegë të opozitës që gënjejnë dhe thonë dokrra në Parlament.

Po shoh ata që mbështetën krijimin e Tribunalit të Hagës të thonë që nuk na dëgjuat në vitet 2015 apo 2016 kur deklaruam "mos e votoni krijimin e kësaj gjykate dhe mos e mbështetni atë".

Si është e mundur që ne të kemi një memorie kaq të shkurtër? Si është e mundur që ne të lejojmë këta individë të hiqen sot si Kasandra, kur në të vërtetë kanë qenë të rreshtuar kokë e këmbë për krijimin e Tribunalit të Hagës?

Dhe mirë bënë!

Kjo ishte e vetmja zgjidhje në interes të Kosovës.

Por si nuk kanë turp dhe cipë sot, kur marrin pozicionin e kundërt vetëm për ndonjë përfitim politik të brendshëm. Apo mjafton një vend në listat e mbyllura për një karrige në Parlament?

Përfitimi politik i brendshëm është vetëm iluzion i tyre. E si mund të besojnë qytetarët që këta do të jenë seriozë kur nesër të kenë në duar çelësat e Shqipërisë?

Ata prandaj janë sot pa bosht politik dhe humbin në zgjedhje, sepse siç thotë populli, janë aeroplan pa bisht, vërtiten nga të mundin për të kapur ndonjë kockë pushteti.

Këta gjithmonë do të humbin, sa kohë do të vazhdojnë të jenë peng i urisë patologjike për pushtet, uri e cila ua errëson gjykimin dhe i bën qesharakë në sytë e opinionit publik shqiptar dhe kosovar./CNA

 





Lajmet e fundit nga