Baste sportive pranë shkollave në Tiranë, 2 në pranga dhe 2 nën hetim

Tiranë – Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “ËEB page”, duke zbuluar dy lokale në afërsi të institucioneve arsimore, ku zhvillohej në mënyrë të paligjshme veprimtaria e basteve sportive.
Në kuadër të kontrolleve të përditshme në zonat pranë shkollave, policia ka evidentuar dy subjekte ku vendoseshin baste sportive përmes celularëve, në kundërshtim me ligjin.
Për këtë rast janë arrestuar në flagrancë D. Gj., 24 vjeç, dhe K. Ç., 48 vjeç, ndërsa nisi procedimi penal për I. M., 54 vjeç, si dhe për një 17-vjeçar.
Sipas policisë, në njërin prej lokaleve, i administruar nga 48-vjeçari K. Ç., është kapur duke vendosur baste sportive 24-vjeçari D. Gj. Në të njëjtin ambient ndodhej edhe 54-vjeçari I. M., i dyshuar si i përfshirë në këtë veprimtari.
Ndërkohë, në lokalin tjetër, shërbimet e policisë kanë konstatuar një 17-vjeçar, i punësuar në subjekt, i cili kryente veprimtarinë e vënies së basteve sportive.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 5 celularë me faqe aktive për vendosjen e basteve sportive, të cilët do të shërbejnë si prova materiale.




