Nga Musa Kurtulaj
Gjykata Speciale e Kosoves në Hagë ka detyrimin të publikojë emrat e tyre dhe rrethanat e vrasjeve –
-Vëndimi i kësaj gjykate na kujton vëndimin e trupit gjykues për ngjarjet tragjike të 2 prillit të vitit 1991 në Shkoder, ku të 5 të akuzuarit u denuan “për vrasje indirekte !” –
Vendimi i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë me 16 shtator për 4 ish-liderët e UÇK-së Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin domosdo shtron një pyetje që kërkon përgjigje të qartë publike: kush janë konkretisht 96 personat, për vrasjen e të cilëve Gjykata i shpalli përgjegjës penalisht të akuzuarit?
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës Speciale, Thaçi u dënua me 25 vite burgim, Veseli me 18, Selimi me 13 dhe Krasniqi me 25 vite – gjithsej 81 vite burgim. Gjykata tha gjithashtu se të katër u gjetën penalisht përgjegjës për ndalim arbitrar të 385 personave, trajtim mizor të 49 personave, torturë ndaj 303 personave dhe vrasje të 96 personave. Pikërisht për këtë arsye, publiku ka të drejtë të kërkojë sa më shumë transparencë dhe qartësi mbi faktet e vendimit. Nëse Gjykata arrin në përfundimin se 96 persona janë vrarë në kuadër të krimeve për të cilat u shpallën përgjegjës të akuzuarit, atëherë pyetjet e drejtëpëdrejta burojnë natyrshëm: cilët janë këta 96 persona me emra ? A janë identifikuar të gjithë?
Cilat janë rrethanat e secilit rast?
Kur dhe ku kanë ndodhur vrasjet?
Çfarë provash ka vlerësuar Gjykata për secilin rast?
Dhe, mbi të gjitha, çfarë motivi dhe qëllimi kriminal ka përcaktuar Gjykata për këto vrasje?
Kjo nuk është thjesht çështje statistikash, prandaj, transparenca gjyqësore nuk duhet të mbetet vetëm te numrat dhe formulimet e përgjithëshme juridike “kanë përgjegjësi se nuk i parandaluan !” Kjo të kujton vëndimin e gjykatës për ngjarjet tragjike të 2 prillit 1991 në Shkoder ku të 5 të akuzuarit u dënuan “për vrasje indirekte !”
Tani që u dha vëndimi nuk mund të justifikohet mbajtja sekret për publikun e emërave të viktimave.
Gjykata ka detyrimin e publikimit të listes emërore të tyre dhe për secilën edhe një përmbledhje faktike e asaj që ajo ka konstatuar. Ajo thotë se gjatë këtij proçesi janë shqyrtuar dëshmi të 273 dëshmitarëve dhe 5.467 prova materiale. Pra, bëhet fjalë për një proçes shumë voluminoz. Pikërisht për këtë arsye, opinioni publik duhet të ketë mundësi të kuptojë se si nga këto prova është arritur te përfundimet përkatëse.
Edhe një element tjetër është i rëndësishëm: Gjykata ka deklaruar se viktimat pjesëmarrëse në këtë proçes kanë qenë 156 persona. Kjo tregon se numri i viktimave të përmendura në vendim dhe numri i viktimave pjesëmarrëse në procedurë nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë, ndaj publiku ka nevojë për një shpjegim të qartë mbi kategoritë dhe shifrat. Drejtësia nuk është vetëm vëndimi për dënimin, por është me shumë rendësi dhe dokumentimi i së vërtetës ku mbështetet që mbështetë vëndimin. Nëse 96 persona janë viktima të vrasjeve të konstatuara nga Gjykata, atëherë ata nuk duhet të mbeten vetëm një numër në një vendim prej qindra apo mijëra faqesh. Gjykata ka detyrimin të ta shpjegojë qartë këtë dhe të publikojë informacionin faktik për secilin rast. Kosova dhe opinioni publik kanë të drejtë të dinë çfarë ka konstatuar konkretisht Gjykata Speciale. Jo për të paragjykuar viktimat, jo për të relativizuar krimet,jo për të mbrojtur apo dënuar politikisht askënd, por për një arsye themelore: sa më i rëndë të jetë dënimi, aq më e rëndësishme bëhet transparenca mbi faktet që e kanë mbështetur atë. Prandaj pyetja që kërkon përgjigje nga Gjykata mbetet thelbësore:
Kush janë 96 viktimat? Çfarë ndodhi me secilin prej tyre? Çfarë provash u paraqitën dhe çfarë ka konstatuar saktësisht Gjykata për motivin dhe autorësinë e këtyre krimeve? Këtë transparencë, publiku i Kosovës ka të drejtë ta kërkojë nga Gjykata Speciale e Hagës.