Emri i Behajdin Allaqit është rikthyer papritur në qendër të vëmendjes pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.
Allaqi nuk është thjesht një nga emrat e shumtë të përmendur në dosjen voluminoze të Hagës. Në rastin e tij, Trupi Gjykues shkoi shumë më tej, duke arritur në përfundimin se Thaçi kishte marrë pjesë personalisht në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e tij. Ky është një nga konstatimet më të drejtpërdrejta të aktgjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës.
Por kush ishte Behajdin Allaqi dhe pse historia e tij, e nisur shumë përpara luftës së Kosovës, përfundoi duke u bërë një prej pikave kyçe të çështjes kundër Thaçit?
Behajdin Myrteza Allaqi lindi më 7 prill 1963 në Prizren. Ai kishte studiuar filozofi dhe punonte si profesor i lëndëve sociologjike në gjimnazin e Prizrenit. Burimet biografike për të e përshkruajnë si veprimtar politik që prej viteve ’80 dhe si pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981. Më vonë u përfshi në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës dhe në aktivitetet politike ilegale kundër pushtetit jugosllav.
Ai kishte pasur edhe probleme me autoritetet serbe. Burimet biografike dhe dokumentet e publikuara për të tregojnë se ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut në Prizren në vitin 1993 dhe, pas lirimit, ishte rikthyer në punën e tij si profesor.
Me krijimin e celulave të para të UÇK-së në zonën e Prizrenit, Allaqi u përfshi edhe në organizimin e tyre. Sipas biografive të publikuara ndër vite, ai mori pjesë në organizimin e aktiviteteve në zonën e Përdrinisë dhe në ngritjen e rrjetit për transportimin e armatimit përmes Pashtrikut.
Pikërisht këtu historia e tij ndërthuret me atë të Hashim Thaçit.
Sipas konstatimeve të Trupit Gjykues, përplasja mes tyre kishte nisur vite përpara zhdukjes së Allaqit.
Gjykata thotë se në vitin 1993 Allaqi pati një mosmarrëveshje serioze me Hashim Thaçin dhe Azem Sylën. Sipas versionit të pranuar nga Trupi Gjykues, ata e akuzonin Allaqin se kishte futur në lëvizjen politike ku bënin pjesë një person të dyshuar prej tyre si spiun të Serbisë, Shaban Shalën, duke vënë në rrezik anëtarët e organizatës.
Aktgjykimi thotë gjithashtu se si pasojë e kësaj përplasjeje, Thaçi mori një rol që më parë i ishte premtuar Allaqit.
Kjo histori e vitit 1993 është e rëndësishme sepse Trupi Gjykues e përdor atë si pjesë të sfondit të asaj që, sipas tij, ndodhi pesë vjet më vonë.
Në qershor 1998, Allaqi ishte ende aktiv. Më 11 qershor, sipas burimeve biografike, ai shkoi në shtabin e UÇK-së në Drenoc. Që nga ajo ditë familja e tij nuk mori më informacion të sigurt për fatin e tij dhe vendndodhja e trupit të Allaqit mbeti e panjohur.
Por Haga tani ka dhënë një rindërtim shumë më konkret të asaj dite.
Sipas Trupit Gjykues, përpara zhdukjes së tij Allaqi ishte vendosur nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së dhe Thaçi e Kadri Veseli kishin kërkuar të informoheshin për praninë e tij në shtabin e Drenocit.
Gjykata konstatoi se më 11 qershor 1998 Allaqi shkoi në shtabin e UÇK-së në Drenoc dhe se pak më vonë atje mbërritën Thaçi dhe Veseli. Sipas përfundimit të gjyqtarëve, ata e morën Allaqin në pranga. Ai nuk u pa më dhe Trupi Gjykues arriti në përfundimin se ishte vrarë.
Rasti bëhet edhe më i rëndë në një tjetër pjesë të aktgjykimit.
Gjykata thotë se më 1 nëntor 1998 Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së publikoi Komunikatën nr. 61, sipas së cilës Allaqi kishte rënë dëshmor në betejë. Trupi Gjykues e interpretoi këtë komunikatë si një përpjekje për të fshehur atë që, sipas tij, kishte ndodhur realisht me Allaqin.
Përfundimet e Gjykatës shkojnë edhe pas përfundimit të luftës. Në përmbledhjen e aktgjykimit u tha se Thaçi, Veseli dhe Azem Syla u përpoqën më pas ta bindnin familjen e Allaqit, përmes premtimeve dhe ryshfetit, të hiqte dorë nga kërkimi i së vërtetës dhe drejtësisë. Ky është konstatim i Trupit Gjykues dhe jo një fakt i pranuar nga mbrojtja.
Kjo është arsyeja pse emri i Behajdin Allaqit merr një peshë të veçantë në aktgjykimin ndaj Thaçit.
Në shumë pjesë të çështjes përgjegjësia e ish-drejtuesve të UÇK-së është analizuar përmes koncepteve të përgjegjësisë penale dhe kontributit në një qëllim të përbashkët. Te Allaqi, përfundimi i Gjykatës është individual dhe shumë më konkret: Dhomat e Specializuara deklaruan zyrtarisht se Thaçi mori pjesë personalisht në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e tij.
Pikërisht këtë pjesë po godet tani fort mbrojtja e Thaçit.
Avokati Luka Misetic pretendon se Gjykata bëri publik përfundimin për përfshirjen e Thaçit në vrasjen e Allaqit, ndërkohë që më parë kishte urdhëruar që palët të mos e diskutonin rastin publikisht dhe që provat përkatëse të mbaheshin konfidenciale.
“Mbrojtja argumenton se gjetjet e Trupit Gjykues për fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara. Për më tepër, Trupi Gjykues dje deklaroi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi kishte urdhëruar të gjitha palët në këtë çështje që të mos e diskutonin rastin e z. Allaqi në seancë publike dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me këtë rast të mbaheshin konfidenciale”, deklaroi Misetic.
Sipas tij, kjo ka krijuar një situatë paradoksale: përfundimi kundër Thaçit është bërë publik, ndërsa një pjesë e materialit mbi të cilin ai mbështetet nuk ka qenë e disponueshme për shqyrtim publik.
“Kështu, Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht z. Thaçi fajtor për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat është bazuar ky përfundim i janë mbajtur të fshehura shqyrtimit publik. Z. Thaçi do ta mirëpriste shqyrtimin publik të këtyre provave”, tha avokati, duke shtuar se Thaçi mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasjen e Allaqit.
Ka edhe një element tjetër që e komplikon historinë.
Një raport hetimor i vitit 2000, i bërë publik këto ditë, përmban një version të atribuar bashkëshortes së Allaqit, Nazmije Allaqi. Sipas dokumentit të publikuar, ajo kishte raportuar se bashkëshorti ishte zhdukur më 11 qershor 1998 dhe se ishte marrë nga policia serbe në Drenoc.
Ky informacion duket në kundërshtim me rindërtimin e ngjarjes që Trupi Gjykues ka pranuar në aktgjykimin e vitit 2026. Megjithatë, vetëm ekzistenca e këtij raportimi të vitit 2000 nuk mjafton për të rrëzuar përfundimin e Gjykatës: për këtë do të duhet të dihet se si është administruar ky material në proces, çfarë provash të tjera ka pasur Trupi Gjykues dhe si i ka vlerësuar ato në aktgjykimin e plotë.
Edhe vetë Thaçi ishte pyetur më herët për Allaqin. Në një transkript zyrtar të procesit, të diskutuar gjatë dëshmisë së Fadil Gecit në tetor 2024, citohet një përgjigje e mëparshme e Thaçit për Prokurorinë, ku ai thoshte se çështja e Allaqit ishte politizuar për “motive” dhe “qëllime politike”.
Kështu, pas gati 28 vjetësh, historia e Behajdin Allaqit mbetet një nga nyjet më të ndërlikuara të çështjes së Hagës.
Nga njëra anë është përfundimi i prerë i Trupit Gjykues të shkallës së parë: Allaqi u arrestua, u transferua dhe u vra dhe Thaçi mori pjesë personalisht në këto krime. Nga ana tjetër është mohimi kategorik i Thaçit dhe pretendimi i mbrojtjes se përfundimi është ngritur mbi prova të pamjaftueshme, një pjesë e të cilave vazhdon të jetë larg syrit të publikut.
Pikërisht për këtë arsye, Behajdin Allaqi nuk është vetëm një emër në aktgjykimin e 16 shtatorit. Rasti i tij pritet të jetë një nga pikat ku mbrojtja e Thaçit do të përpiqet të godasë drejtpërdrejt përfundimet faktike të Trupit Gjykues në apel. /Pamfleti