Drejtoresha e Thesarit, Elmira Peto, është paraqitur mëngjesin e kësaj të premteje përpara Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve që lidhen me bllokimin e pagave të gjyqtarëve, prokurorëve dhe administratës së institucioneve të drejtësisë.
Peto ndodhet në ambientet e SPAK-ut, ku është thirrur për të dorëzuar praktikën shkresore që lidhet me procedurën e bllokimit të listëpagesave. Ajo po merret në pyetje në cilësinë e deklarueses, ndërsa prokurorët po verifikojnë mënyrën se si është zbatuar procedura dhe përgjegjësitë e institucioneve të përfshira.
Një ditë më parë, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqitën në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë dhe në Ministrinë e Financave, ku u kryen veprime për sekuestrimin e dokumenteve dhe korrespondencës institucionale që lidhen me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Veprimet hetimore erdhën rreth një javë pasi kryetarët e 18 gjykatave dhe dy shoqatat që përfaqësojnë gjyqtarët iu drejtuan SPAK-ut me kallëzim penal për mënyrën se si është trajtuar çështja e pagave. Në kallëzim janë përfshirë zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe të Thesarit, ndërsa kërkohet verifikimi i veprimeve dhe mosveprimeve që kanë çuar në moszbatimin e vendimit gjyqësor.
Në thelb të përplasjes qëndron vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 17 shkurtit 2026 dhe mënyra e zbatimit të tij. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë vlerësuar se vendimi është i detyrueshëm dhe kanë përcaktuar një formulë të re përllogaritjeje, me pagë bazë referuese prej 222 mijë lekësh dhe shtesë kualifikimi prej 14 mijë lekësh. Sipas qëndrimit të këtyre institucioneve, zbatimi duhej të shtrihej që nga 1 gushti, duke përfshirë edhe kompensimin e uljes së pagës të shkaktuar nga formula e mëparshme, e cila ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë që në gjithë këtë përplasje institucionesh, Kuvendi miratoi pak pas mesnatës formulën e re të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët. Me 84 vota, socialistët vendosën që të miratojnë këtë formulë të re e cila parashikon një rritje prej rreth 8,500 lekësh.
Mirëpo, mesa duket votimi në Kuvend nuk ka për ta mbyllur konfliktin, pasi formula e aprovuar nga deputetët nuk është ajo e miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

