
Gjatë pranisë së tij në seancë plenare ku votoi për projektligjin e pagave të gjyqtarëve, kryeministri Edi Rama pati një replikë me deputeten demokrate Jorida Tabaku. Kjo e fundit i kujtoi Ramës se prej 110 ditësh zhvillohen protesta poshtë zyrës së tij duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë.
Rama nga ana tjetër tha se fakti që po protestohet tregon se Shqipëria është vend demokratik, ndërsa i kujtoi Tabakut 21 janarin. Më tej tha se opozita ishte përzënë nga protesta sepse kudo që shkon sjell humbje.
Pjesë nga debati:
Tabaku: Kërkon guxim shumë të madh kur t’i kesh protestuesit 110 ditë poshtë zyrës dhe të thuash se na përzënë ne. Provo dil njëherë se kanë dalë këta të tutë dhe i kanë marrë zvarrë. Në vend që t’i marrësh si këmbanë alarmi ato që kërkojnë njerëzit atje, sillesh me të njëjtën arrogancë që i ka detyruar qytetarët të dalin në shesh. Sot ka një thirrje: Rama jepe dorëheqjen, dëgjoje meqë the se e dëgjon turmën dhe zbato kërkesat e tyre.
Rama: Zonja Tabaku ju nuk ishit kur unë bëra replikën për gjithë përsëritjet tuaja me trupin që drithërohej për 100 ditë protesta. Dua t’ju përsëris edhe kështu në sy, kur qytetarët protestojnë poshtë dritares quhet demokraci dhe kur e bëjnë pa u hyrë gjemb në këmbë quhet krenari dhe aq më tepër në atë bulevard ku janë vrarë e janë plagosur. Kur qytetarët që protestojnë i thonë opozitës dhe juve personalisht: largohu, atëherë është një sëmundje ngjitëse që ajo protestë nuk e do dhe nuk kanë faj se ju jeni sëmundje ngjitëser e humbjes kronike, kush ju afrohet humb humb humb. Versus.al

