E premte, 18 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Plagosja e avokatit në mes të lokalit, Dhoma Vendore e Avokatisë 2 orë bojkot të seancave gjyqësore në Durrës

Ilustrim · Vizion Plus

Avokatët në Durrës kanë bojkotuar për dy orë seancat gjyqësore, në shenjë proteste pas plagosjes me armë të avokatit Elton Shllaku dy ditë më parë, pas një konflikti banal në një lokal në lagjen nr. 1 të qytetit.

Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës vendosi të pezullojë pjesëmarrjen në seanca nga ora 08:00 deri në 10:00, duke kërkuar rritjen e sigurisë për avokatët gjatë ushtrimit të detyrës.

Vendimi, i firmosur më 17 shtator, i është drejtuar edhe Prokurorisë dhe Policisë së Durrësit. Prokurorisë i kërkohet një hetim i shpejtë dhe i plotë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.

Ndërkohë, nga Policia e Durrësit kërkohet informacion mbi ecurinë e hetimeve dhe masat e ndërmarra për dokumentimin e plotë të rastit.

Çështja e sigurisë së avokatëve pritet të jetë në fokus edhe të mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë.

Elton Shllaku u qëllua me armë në dorë dy ditë më parë, në një lokal në shëtitoren “Taulantia” në Durrës. Policia vijon kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar, Fatmir Ferhati.

Avokatët kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave konkrete për garantimin e një mjedisi më të sigurt gjatë ushtrimit të profesionit.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.