Pasditen e 16 shtatorit një ngjarje e rëndë u regjistrua në qytetin e Durrësit, ku avokati Elton Shllaku mbeti i plagosur me armë zjarri. Shllaku u qëllua në dorë, ndërsa ndodhej në një lokal në zonën e shëtitores “Taulantia”.
Dy ditë pas ngjarjes, kolegët e Shllakut kanë vendosur të reagojnë përmes bojkotimit të seancave gjyqësore. Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës ka vendosur pezullimin e pjesëmarrjes së avokatëve në seancat gjyqësore për dy orë, nga ora 08:00 deri në 10:00, në shenjë proteste pas plagosjes së avokatit.
Dhoma e Avokatisë i kërkon Prokurorisë së Durrësit një hetim të shpejtë dhe të plotë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore. Ndërsa Policisë së Durrësit i kërkohet informacion mbi ecurinë e hetimeve dhe masat e marra për dokumentimin e plotë të rastit.
Në fokus të avokatëve është vendosur gjithashtu siguria gjatë ushtrimit të profesionit. Kjo çështje pritet të diskutohet edhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë.
