
Zyrtari më i lartë ushtarak gjerman, gjenerali Carsten Breuer, ka paralajmëruar se shtetet evropiane nuk mund të përgatiten për konflikte të mundshme në të ardhmen vetëm duke forcuar ushtritë dhe blerë armë të reja.
Ai tha se mbrojtja duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë, nga industria dhe infrastruktura, te institucionet civile dhe qytetarët.
Breuer, inspektor i përgjithshëm i Bundeswehrit, pra zyrtari më i lartë profesional ushtarak i Gjermanisë, foli të mërkurën në mbrëmje në Samitin e Mbrojtjes të IISS në Pragë. Bëhet fjalë për një konferencë treditore ku më shumë se 250 zyrtarë politikë dhe ushtarakë, përfaqësues të industrisë së mbrojtjes dhe analistë diskutojnë për mbrojtjen e Evropës.
“Pa ju, ne ushtarët jemi të dënuar të dështojmë. Por dështimi nuk është opsion”, tha Breuer, duke iu drejtuar pjesës civile të shoqërisë.
Ai paralajmëroi se dështimi në mbrojtje mund të rrezikojë seriozisht shoqëritë evropiane në formën që ekzistojnë sot.
Rusia mëson, imiton dhe përshtatet
Një pjesë e madhe e fjalimit të Breuerit iu kushtua ndryshimeve të shpejta në mënyrën moderne të zhvillimit të luftës. Ai tha se strategjia ushtarake sot fillon të vjetrohet pothuajse sapo të shkruhet, pasi teknologjia dhe mënyra e përdorimit të saj ndryshojnë jashtëzakonisht shpejt.
Si shembullin më të rëndësishëm, ai përmendi luftën në Ukrainë. Sipas Breuerit, ushtritë perëndimore duhet të mësojnë nga përvoja ukrainase, por në të njëjtën kohë duhet të llogarisin se të njëjtën gjë po e bën edhe Rusia.
“Rusia mëson. Ata imitojnë dhe përshtaten”, tha ai, duke theksuar se Moska po zhvillon mënyra për të anashkaluar avantazhet e ushtrive perëndimore. Ai paralajmëroi gjithashtu se epërsia teknologjike nuk është e përhershme dhe se ai që sot është përpara kundërshtarit, shumë shpejt mund të mbetet prapa. Versus.al

