Aktualitet

Plagosja e avokatit Shllaku/ Dhoma e Avokatisë Durrës pezulloi seancat për 2 orë!

Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës vendosi bojkot me 2 orë të seancave gjyqësore, në shenjë proteste pas plagosjes me armë të avokatit Elton Shllaku.

Sipas vendimit të firmosur më 17 shtator, avokatët pezulluan pjesëmarrjen në seanca nga ora 08:00 deri në 10:00, duke kërkuar rritjen e masave të sigurisë gjatë ushtrimit të profesionit.

Vendimi i Dhomës Vendore të Avokatisë Durrës i është përcjellë edhe Prokurorisë dhe Policisë së Durrësit. Prokurorisë i kërkohet një hetim i shpejtë dhe i plotë për zbardhjen e rrethanave të plagosjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.

Ndërkohë, nga Policia e Durrësit kërkohet informacion mbi ecurinë e hetimeve dhe masat e ndërmarra për dokumentimin e ngjarjes. Siguria e avokatëve pritet të jetë në fokus edhe të mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë, ndërsa avokatët kërkojnë masa konkrete për krijimin e një mjedisi më të sigurt gjatë ushtrimit të profesionit.