Policia e Kosovës ka përfunduar përgatitjet operacionale për protestën e paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila pritet të zhvillohet sot, në orën 12:00, në sheshet e Prishtinës.
Policia ka bërë të ditur se do të angazhojë njësi të ndryshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e protestës.
Në kuadër të përgatitjeve, zyrtarët kompetentë të Policisë kanë zhvilluar takim me përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës, me qëllim koordinimin dhe informimin lidhur me organizimin e tubimit dhe masat e sigurisë.
Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të respektojnë ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, duke kërkuar që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
Në njoftimin e saj, PK-ja ka paralajmëruar protestuesit që të mos hedhin sende apo mjete të forta dhe të mos përdorin maska gjatë tubimit.
Për shkak të lëvizjes së protestuesve drejt shesheve të kryeqytetit, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë.
Për këtë arsye, Policia ka parashikuar angazhimin e njësive të trafikut për riorientimin e qarkullimit në rrugë alternative, në rast nevoje.
Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren gjatë gjithë aktivitetit, ndërsa Policia e Kosovës thekson se siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e protestës mbeten prioritet.












