Kuvendi i Shqipërisë miratoi në orët e para të mëngjesit projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”. U miratua me 84 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim.
Debati në Kuvend u përqendrua veçanërisht te kriza e pagave në sistemin e drejtësisë dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri Edi Rama u ndal te çështja e afateve që sipas tij, nuk mund t’i vendosen Kuvendit nga një pushtet tjetër.
Respekto vendimin e Gjykatës? Patjetër, patjetër! Por ama, kurrë një Gjykatë Kushtetuese nuk i thotë dot një ligjvënësi: ‘Çoje ti dorën kështu, se e vendosa unë’.
Dhe fatmirësisht, në këtë rast ka lënë diskrecion të plotë. Sa i përket shkeljes së afatit, nuk i vihen Kuvendit afate. Është një tjetër nonsens. Nuk mund t’i thotë askush Kuvendit, përveçse vetë anëtarët e tij, se kur do të mblidhet dhe se për çfarë do të mblidhet.
Rama solli si shembull debatet që zhvillohen në Kuvend për rendin e ditës dhe kundërshtoi, sipas tij, idenë se një institucion tjetër mund të përcaktojë kohën kur duhet të mblidhet parlamenti.
Këtu bëhen katër orë debate për rendin e ditës. Si del një pushtet tjetër atje dhe thotë: ‘Do të mblidheni ju deri në datën 31’? Se po nuk u mblodhët deri në datën 31, në datën 1 ne do të mësyjmë dyert e Thesarit. Si është kjo?.