E urdhëroi Taulant Balla/ Bajram Begaj firmos me urgjencë ligjin e Ramës për pagat e magjistratëve

E urdhëroi Taulant Balla/ Bajram Begaj firmos me urgjencë ligjin e Ramës për pagat e magjistratëve

10:47, 18/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ashtu siç pritej, presidenti Bajram Begaj firmosi me urgjencë ligjin për pagat e magjistratëve.

Një ditë pas votimit në Kuvend të ligjit për pagat e magjistrave vetëm me votat e Partisë Socialiste, Begaj ka dekretuar këtë ligj.

Dje ligji për pagat e magjistrave u miratua me 84 vota, ndërsa opozita kërkoi që votimi të shtyhej, pasi nuk ishin reflektuar disa ndryshime.

Reagimi urgjent i Begajt vjen pasi kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, e ‘kishte urdhëruar’ diçka të tillë dje në Kuvend.

“I bëj edhe thirrje Presidentit të Republikës, besoj të kemi dakordësinë për të hyrë në fuqi menjëherë dhe të zhbllokohen edhe pagat meqë është shqetësim,” tha Balla.

Ndërkohë, edhe Begaj jep këtë justifikim në mesazhin e tij për dekretimin e ligjit.

NJOFTIMI I PRESIDENCES

Presidenti i Republikës nxori sot dekretin për shpalljen e ligjit nr. 95/2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, pasi kishte dhënë më parë pëlqimin për hyrjen në fuqi të tij menjëherë.

Presidenti i Republikës dha pëlqimin për hyrjen në fuqi të ligjit menjëherë bazuar në kërkesën e Kuvendit, i cili argumentonte nevojën dhe urgjencën për hyrjen në fuqi menjëherë me faktin se shfuqizimi i dispozitave për pagat e magjistratëve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte bllokuar dhënien e pagave për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që nga data 1 gusht 2026 e në vazhdim.

Pa hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Thesari i Shtetit nuk mund të çlirojë pagesat për magjistratët.

Qëllimi i Kuvendit ishte që të mundësonte pagesat e Thesarit të Shtetit për gjyqtarët dhe prokurorët që në datën 18 shtator 2026 për pagat e bllokuara që nga data 1 gusht 2026 dhe për ato vijuese. Hyrja në fuqi e ligjit sipas procedurave të zakonshme do ta vononte këtë proces nga 15 deri në 35 ditë. Dhënia e pëlqimit nga Presidenti i Republikës për hyrjen e ligjit në fuqi menjëherë është prerogativë dhe instrument kushtetues, i cili justifikohet nga nevoja dhe urgjenca e rrethanave të rastit.

Argumentet dhe kundër-argumentet kushtetuese lidhur me masën e pagës mund të debatohen edhe në instanca të tjera kompetente, por zhbllokimi në rrugë të ligjshme i vetë pagës mund të bëhet vetëm duke futur në fuqi ligjin e ri.

Hyrja e ligjit në fuqi menjëherë kërkon që Presidenti i Republikës të veprojë menjëherë.

Për Presidentin e Republikës, dhënia e pëlqimit në këtë rast i shërben mbrojtjes së një nevoje akute, me lidhje të drejtpërdrejtë me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, që është garantimi i standardit të jetesës dhe i qëndrueshmërisë së të ardhurave për të gjithë magjistratët e vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco