Një automjet është përfshirë nga flakët paraditen e sotme në hyrje të parkimit nëntokësor, në qendër të Fierit. Sipas informacioneve paraprake, automjeti, tip “Mercedes-Benz”, ka marrë flakë në pjesën e motorit, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët, pasi tymi i dendur ka mbuluar zonën.
Pas marrjes së njoftimit për zjarrin, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe dy automjete zjarrfikëse. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke bërë të mundur vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve.
Ndërhyrja në kohë ka shmangur përhapjen e zjarrit në pjesët e tjera të parkimit nëntokësor. Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohen, deri në këto momente për persona të lënduar.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit.
