Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

“Një dimër i vështirë na pret”, bota drejt krizës, Mitsotakis kërkon ndërhyrje evropiane për çmimet e karburanteve

Shkruar nga Newsbomb
“Një dimër i vështirë na pret”, bota drejt
Kyriakos Mitsotakis

E gjithë bota është në ankth për muajt që do të vijnë pas, kjo dhe për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe destabilitetit ekonomik që ka sjellë me vete. Së fundmi, kryeministri i Greqisë, Kyrioakos Mitsotakis ka pranuar dhe një “dimër i vështirë” e pret vendin.

“Një dimër i vështirë na pret në një mjedis trazirash gjeopolitike të paprecedentë”, deklaroi kryeministri grek, duke e vendosur çështjen e kostos së ngrohjes në qendër të diskutimeve.

Mitsotakis theksoi se nafta për ngrohje përbën një nga prioritetet kryesore të qeverisë, veçanërisht për familjet në Greqinë e Veriut, ku temperaturat më të ulëta e bëjnë këtë shpenzim edhe më të rëndësishëm gjatë muajve të dimrit.

“Do të ketë një ndërhyrje të dyfishtë, me një subvencion në pompë dhe një rritje horizontale të pagesës për ngrohje”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se mbështetja për naftën do të vijojë.

Sipas tij, masat synojnë të frenojnë ndikimin e rritjes së çmimeve mbi familjet greke në një periudhë kur tensionet gjeopolitike dhe pasiguritë në tregjet ndërkombëtare po ushtrojnë presion mbi kostot e energjisë.

Mitsotakis: Çështjen e taksës së karburanteve do ta ngre në Evropë

Krahas masave të brendshme, kryeministri grek kërkoi edhe një përgjigje të përbashkët në nivel evropian.  Mitsotakis tha se do ta ngrejë urgjentisht në Këshillin Evropian çështjen e Taksës së Posaçme të Konsumit mbi karburantet, duke argumentuar se Greqia nuk ka hapësirën e nevojshme fiskale për të ndërmarrë në mënyrë të njëanshme një ulje të taksimit pa prekur shpenzime të tjera.

Sipas tij, një ulje e përkohshme e barrës fiskale mbi karburantet do të ishte e mundur përmes një marrëveshjeje të përbashkët evropiane për përjashtimin e përkohshëm të lëndëve djegëse fosile nga një pjesë e taksimit.

“Evropa duhet të qëndrojë pranë qytetarëve të saj”, theksoi Mitsotakis, duke kërkuar që përballimi i krizës energjetike të mos mbetet vetëm përgjegjësi e qeverive kombëtare.

Një pjesë tjetër e deklaratave të kryeministrit iu kushtua situatës në tregjet ndërkombëtare të obligacioneve dhe financave publike.  Mitsotakis theksoi se Greqia është në një pozicion më të mbrojtur përballë presioneve të tregjeve, duke iu referuar nivelit të huamarrjes së vendit dhe përmirësimit të financave publike.

Ai vuri në dukje se Greqia merr hua në nivele më të ulëta krahasuar me disa prej ekonomive të mëdha evropiane dhe me Shtetet e Bashkuara, duke e lidhur këtë me disiplinën fiskale të ndjekur nga vendi.

Megjithatë, presionet e jashtme mbeten një shqetësim për ekonominë greke. Rritja e kostove të energjisë, pasiguria gjeopolitike dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare mund të ndikojnë drejtpërdrejt në familjet dhe bizneset.

Për këtë arsye, qeveria greke po përgatit masa për të kufizuar ndikimin e rritjes së çmimeve gjatë muajve të dimrit, ndërsa Athina kërkon që një pjesë e përgjigjes ndaj krizës të koordinohet në nivel evropian. Në qendër të kësaj përpjekjeje mbetet kostoja e ngrohjes, ndërsa muajt e ardhshëm pritet të tregojnë se sa i fortë do të jetë presioni që zhvillimet gjeopolitike dhe tregjet e energjisë do të ushtrojnë mbi ekonominë greke.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese