Ka plasur gallata në Kuvend në orët e vona të natës, ku Gazment Bardhi dhe deputetja socialiste Zegjine Çaushi kanë lënë mënjanë debatin politik dhe kanë kaluar te replikat personale. Gjatë fjalës së tij, Bardhi iu drejtua Çaushit duke i përmendur dajën e saj.
“A t’u martua daja ty? A t’u martua? Mbaj vendin aty se po flas unë”, i tha Bardhi deputetes socialiste.
Bardhi iu referua dajës së Çaushit, i cili është vënë në pranga pas akuzave të ish-bashkëjetueses për dhunë dhe plagosjen e babait të saj me mjet prerës.
Pas batutës për dajën, Bardhi vijoi fjalën e tij duke ngritur akuza për mënyrën e funksionimit të shtetit.
“Këtë copën tjetër do ia jap atij. Naftën do ta sjellë një mik tjetër timin dhe do e marrë ai, gazin ai tjetri. Ky është shteti që ke ndërtuar ti. S’ke asnjë lidhje me ligjin”, tha Bardhi.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tentoi të mbyllte diskutimet, por Çaushi kërkoi të merrte fjalën për replikë. Ora kishte shkuar rreth 01:30 të mëngjesit.
“Përgjigje në orën 01:30 të mëngjesit, të lutem!”, i tha Peleshi deputetes.
Por Çaushi nuk e la pa përgjigje batutën e Bardhit për dajën dhe e ktheu replikën te jeta personale e demokratit.
“Ti duhet të shohësh hallin tënd, Gazo, a u martove vetë apo jo?”, iu përgjigj Çaushi.
Pjesë nga debati në Kuvend:
Bardhi-Çaushit: A t’u martua daja ty? A t’u martua? Mbaj vendin aty se po flas unë. Këtë copën tjetër do ia jap atij. Naftën do ta sjellë një mik tjetër timin dhe do e marrë ai, gazin ai tjetri. Ky është shteti që ke ndërtuar ti. S’ke asnjë lidhje me ligjin.
Peleshi: Këtu mbyllen diskutimet.
Çaushi kërkon replikë.
Peleshi: Përgjigje në orën 01:30 të mëngjesit, të lutem!
Çaushi: Ti duhet të shohësh hallin tënd Gazo, a u martove vetë apo jo? Zgjedhjet në Fier fitohen kur vjen një drejtues politik si puna jote. Të vijë një njeri mjeran si ty, që ha qofte dhe pi xhin, pa shkelur në asnjë derë, jo që fitohen zgjedhjet, por fitohen më bindshëm se kësaj here.
/pamfleti