69 vite pas realizimit, “Fëmijët e saj”, me regji të Hysen Hakanit, i pari film artistik plotësisht shqiptar (i prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”), rikthehet në ekran i restauruar. Premiera u zhvillua në Kinema “Drita”, në mjediset e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Eshtë shumë kënaqësi që ta nisim sezonin e restaurimeve me filmin e parë shqiptar, por edhe me një film që jo të gjithë e njohin si të tillë. “Fëmijët e saj” ka një veçanti tjetër, për kushtet kohore, historike dhe sociale në të cilat është krijuar, tha drejtori i AQSHF-së, Eljan Tanini.
Filmi i Hysen Hakanit, i realizuar në vitin 1957 si punë diplome në Shkollën e Lartë të Arteve në Pragë, zgjat vetëm 14 minuta, por mbart një rëndësi të veçantë për historinë e filmit shqiptar.
Ky është restaurimi i parë i realizuar tërësisht nga specialistët tanë, këtu në Arkivin e Filmit.
Restaurimi u realizua nga Erand Meça dhe Hajrije Dedej e zgjati rreth një vit. Materiali origjinal ishte në gjendje të dëmtuar dhe puna kërkoi skanim digjital, stabilizim të imazhit, pastrim të dëmtimeve e korrigjim të parametrave vizualë.
Filmi ishte goxha i dëmtuar. Ka qenë një sfidë edhe për ne, duke mësuar çdo ditë, por besoj që ia kemi arritur me sukses, tha Erand Meça.
Ka qenë një punë e vështirë. Filmi ka pasur goxha probleme. Mbase nuk është perfeksion, por kemi bërë më të mirën tonë, u shpreh Dedej.
“Fëmijët e saj” sjell historinë e një nëne që pas kafshimit të të birit nga një qen i tërbuar, zgjedh fallxhoren, në vend të ndihmës mjekësore.
Në role:
Marie Logoreci, Marika Kallamata, Naim Frashëri, Xhemal Berisha, Loro Kovaçi, Vangjeli Pikuli, Esma Agolli, Pjetër Gjoka dhe Bejtulla Kurtheshi, ndërsa muzika e filmit është kompozuar nga Tish Daija.
Aktualisht, specialistët e Arkivit po punojnë edhe për restaurimin e filmave “Dimri i fundit” e “Një gjeneral kapet rob”.