Durrës- Si të mos mjaftonte skandali i ndodhur pak muaj më parë në Durrës, ku Elisabeta Mataj asokohe drejtoreshë e Postës Shqiptare u arrestua nën dyshim për vjedhjen e qindra mijëra eurove nga fondi i pensioneve, bashkëshorti i saj duket se po promovohet në bashkinë e Durrësit.
Dy muaj pasi gjykata la në fuqi arrestin me burg pasi Mataj dyshohet se vodhi 700 mijë euro që ende nuk dihet se ku janë, Fetah Mataj i cili punonte në komunalen e Durrësit, së fundmi është emëruar Përgjegjës për Evadimin e Mbetjeve Urbane.
Mataj e ka marrë pozicionin vetëm pak ditë më parë duke u rritur në detyrë pas skandalit në Postën e Durrësit në të cilën u përfshi bashkëshortja e tij, e cila dyshohet se i nxirrte paratë me qese të zeza. E pyetur në gjykatë nëse frekuentonte kazinotë, Mataj tha se nuk kishte një ligj që e ndalonte për këtë gjë dhe shtoi se nuk e dinte se ku janë paratë që mungonin nga fondi i pensioneve. Versus.al

