Sulm fatal nga peshkaqeni në Australi, humb jetën notari, dëshmitarët: E “përpiu” si peshk

Një burrë ka humbur jetën pasi u sulmua për vdekje nga një peshkaqen teksa po notonte në një plazh të njohur në Australinë Perëndimore, njoftoi policia.
Ngjarja ndodhi pranë plazhit Sorrento, rreth orës 10:30 me kohën lokale. Shërbimet e emergjencës u njoftuan për sulmin dhe autoritetet nisën një kërkim të gjerë nga ajri dhe deti, por notari nuk mundi të mbijetonte.
Plazhi Sorrento, një destinacion i njohur për not dhe rekreacion, ndodhet rreth 20 kilometra nga Perth. Pas sulmit, këshilli lokal mbylli përkohësisht të gjitha plazhet nën administrimin e tij.
Sipas mediave australiane, burri u sulmua rreth 50 metra larg bregut. Një infermiere që ishte dëshmitare e ngjarjes tha për Sydney Morning Herald se kishte parë peshkaqenin duke sulmuar burrin në ujë. “E përpiu dhe e hodhi si të ishte peshk”, tha ajo. Një tjetër dëshmitar deklaroi për transmetuesin ABC se kishte parë gjak në det pas sulmit.
Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë pas një tjetër sulmi nga peshkaqeni në të njëjtin shtet, ku një surfist 56-vjeçar u sulmua në plazhin Glenfield, më shumë se 400 kilometra në veri të Perthit. Raportohet se ai humbi njërën këmbë.
Që nga fillimi i vitit, në Australi janë regjistruar katër sulme fatale nga peshkaqenët, dy prej tyre në brigjet perëndimore të vendit.
/vizionplus.tv



