Gjykata e Tiranës ka caktuar vijim e masës së sigurisë “arrest në burg” për Eno Agasin, i cili akuzohet për vjedhje dhe pengim të zbulimit të së vërtetës, pas dyshimeve se ka larguar nga një vilë në pronësi të kushëririt të tij, Ergys Agasi, një sasi të konsiderueshme vere të sekuestruar nga SPAK.
Sipas të dhënave të bëra publike lidhur me hetimin, bëhet fjalë për verë me vlerë rreth 950 mijë euro, e cila ndodhej në vilën e Ergys Agasit dhe ishte vendosur nën sekuestro në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme.
Eno akuzohet se ka ndërhyrë për largimin e verës nga ambientet ku ishte vendosur nga autoritetet, duke cenuar kështu ruajtjen e pasurisë së sekuestruar.
Pas shqyrtimit të çështjes, gjykata ka vendosur masën “arrest në burg” ndaj tij. Krahas masës së sigurisë, dosja i është kaluar për ndjekje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ndërkohë, Ergys Agasi, një prej personave të shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), u arrestua më 26 gusht, në Durrës dhe u la në burg nga GJKKO.












