Katër netë serenata në Korçë, festivali rikthehet në edicionin e tij të tretë

Serenata korçare rikthehet aty ku mori jetë, në rrugicat dhe sokakët e qytetit. Edicioni i tretë i Festivalit të Serenatave vjen këtë vit me katër net dhe në katër ambiente të ndryshme, duke sjellë bashkë brezat që e kanë kënduar ndër vite dhe të rinjtë që po e trashëgojnë këtë traditë.
Për ata që e kanë jetuar serenatën e dikurshme, ajo ishte më shumë se një këngë. Ishte një mënyrë për të kaluar mbrëmjet, me pak instrumente, nëpër lagje dhe pranë ballkoneve të shtëpive.
“E kënduara e serenatave dikur kishte diçka tjetër. Ishte shumë e vështirë për këtë lloj muzike, por edhe shumë e bukur, sepse këndohej me një kitarë akustike, nëpër lagje të ndryshme. Ngjiteshin grupe djemsh, këndonin nëpër rrugica dhe përballë ballkoneve të shtëpive. Ishte diçka shumë e bukur, që sot, për fat të keq, nuk realizohet më”, thotë Enver Goreni.
Dikur dy-tre kitara mjaftonin për të mbushur sokakët e Korçës me këngë. Pandi Tasellari, një prej emrave të vjetër të Korit “Lira”, kujton netët kur serenata këndohej nëpër rrugët e qytetit.
“Serenatën e këndonim me dy-tre kitara, dilnim sokakëve duke kënduar. Nga Çezmat e Reja, Shëndellia, të gjitha rrugët i kemi gjesdisur. Këtu i kemi serenatat që këndonim”, thotë Pandi Tasellari.
Por nëse mënyra e të kënduarit ka ndryshuar, dashuria për serenatën vazhdon të kalojë nga një brez tek tjetri.Të rinjtë e Korçës thonë se janë rritur me këto këngë dhe sot i shohin ato si pjesë të historisë dhe identitetit të qytetit.
“Unë kam mësuar që e vogël të këndoj serenatën. Jam rritur me serenatat korçare dhe është kënaqësi të marr pjesë për vitin e tretë radhazi. Çdo moment të ditës serenatat i dëgjojmë, sidomos në Korçë”, thotë Erika Ahmeti.
“Jam 18 vjeç dhe serenatat i këndoj që prej moshës 12-vjeçare. Është një trashëgimi e veçantë për brezat e rinj. Unë po vazhdoj rrugën e kantos, por serenatat janë pjesë e historisë ku jam rritur dhe më kanë mbetur në zemër”, thotë Stelios Tollkuçi.
Katër netët e festivalit do të sjellin bashkë zërat e rinj dhe ata që e kanë mbajtur gjallë këtë traditë prej dekadash. Një udhëtim nga e kaluara drejt së tashmes, me serenatën si një nga shenjat më të njohura të identitetit kulturor të Korçës.




