Komisionerja e BE-së për zgjerim, Marta Kos është shprehur se vendimi i Hagës duhet të respektohet, një deklaratë kjo e cila nxiti reagime kundër saj, në mesin e të cilave renditet dhe reagimi i avokatit të Hashim Thaçit.
Avokati Luka Mishetiq, ka shkruar se nuk i takon Marta Kos-it që të paragjykojë çështjen ndaj çlirimtarëve të Kosvës, ndërsa shton se komiteti i të Drejtave të Njeriut të Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit ka vënë në pikëpyetje paanshmërinë e gjyqtarëve të trupit gjykues në këtë rast.
“Ende duhet të përcaktohet nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e z. Thaçi. Nuk i takon Marta Kos-it ta paragjykojë këtë çështje.
Komiteti i të Drejtave të Njeriut të Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit ka vënë në pikëpyetje paanshmërinë e gjyqtarëve të trupit gjykues në këtë rast. Raportin e tyre mund ta lexoni këtu” shkruan Luka Mishetiq.
Reagimi i Marta Kos:
Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Gjykimi i saj duhet të respektohet dhe të dënuarit kanë të drejtë ankese. Bëhet fjalë për përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
U bëj thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit, vendet e rajonit mund t’i kapërcejnë ndasitë dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE.


