Nga ëndrra e fëmijërisë te lamtumira, Valon Berisha tërhiqet nga Kosova

Valon Berisha ka njoftuar tërheqjen nga përfaqësuesja e Kosovës.
Mesfushori ka bërë publik vendimin përmes një letre emocionuese, ku ka kujtuar rrugëtimin e tij me fanellën dardane dhe momentet më të rëndësishme të karrierës ndërkombëtare.
Berisha, i rritur në Norvegji, rrëfen se që në fëmijëri kishte dy ëndrra të mëdha: futbollin dhe Kosovën. Ai thekson rolin e familjes së tij në formimin e dashurisë për vendin e origjinës dhe në vendimin për t’iu bashkuar përfaqësueses kosovare.
Pas 52 ndeshjesh me Kosovën, disa gola dhe një dekade të kaluar me përfaqësuesen, 33-vjeçari ka vendosur të mbyllë kapitullin e tij si futbollist aktiv me Kombëtaren.
Një nga momentet që do të mbetet më gjatë në kujtesën e tij është goli ndaj Finlandës, të cilin Berisha e cilëson si një prej momenteve më të veçanta në historinë e futbollit të Kosovës.
Në letrën e tij, mesfushori kujton edhe vendimin e marrë dhjetë vite më parë, kur zgjodhi Kosovën pavarësisht mirënjohjes që kishte ndaj Norvegjisë, vendit ku ishte rritur dhe ku familja e tij kishte gjetur një jetë më të mirë.
“E lashë dhe atëherë vendosa t’i bashkohem Kosovës, sepse ndjeva fuqishëm thirrjen e brendshme për ta përfaqësuar gjakun që më rrjedh në vena dhe për t’i bërë krenarë prindërit e mi”, shkruan Berisha.
Pas një dekade me fanellën dardane, Valon Berisha e mbyll kështu një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij, duke lënë pas 52 paraqitje dhe një histori të lidhur ngushtë me hapat e parë të Kosovës në futbollin ndërkombëtar.




