Nga Boldnews.al
Kastriot Hasko gjendej rregullisht në dyert e gjykatës dhe Prokurorisë së Fierit. I njohur si trashëgimtar i një prone të madhe në zonën e Semanit në vitin 2024, i moshuari 72-vjeçar dhe të afërmit e tij nuk po arrinin t’a gëzonin. Shteti, nëpërmjet Bashkisë së qytetit, ia kishte dhënë me qira pronën e tij një subjekti privat, nën argumentin se “zona është e pamenaxhuar”.
Por, ndërkohë që ai priste zgjidhje për problemin e shtrirë në kohë, disa orë më parë, ai përballet me një patrullë policore. Oficerët e Policisë kishin në dorë një urdhër arresti nga Gjykata e Fierit. Hasko akuzohet për “falsifikim dokumentash” të pronës së tij, ndërsa vendimi ishte marrë në mungesë, pikërisht ndaj të moshuarit që ishte thuajse përditë në dyert e sistemit të drejtësisë.
Mund ta kishin thirrur paraprakisht, mund të kishin caktuar një masë sigurimi më të butë, më së paku për shkak të moshës.
Por, autoritetet e drejtësisë vendosën ta bënin shembull, me arrestim spektakolar, njeriun që ishte në pritje të gëzonte pronën e trashëguar nga gjyshi i tij, Simon Simonidhi, një ish-deputet në Mbretërinë e Zogut dhe një pronar e tregtar i madh në rajonin Vlorë-Fier, një njeri i fjalës dhe penës, që gjëja e fundit që mund t’i shkonte ndërmend ishte: ta quanin hajdut! Një epitet, të cilin po tentohet që sot t’ia ngjisin nipit të tij, Kastriot Hasko.
Doktor Simonidhi
Historia e familjes së Kastriot Haskos duket nga ato rastet tipike të pronarëve të mëdhenj shqiptarë në periudhën e para-Luftës së Dytë Botërore. Nga zeniti tregtar në periudhën e Monarkisë, në goditjen personale dhe konfiskimin e çdo pasurie e trashëgimie në kohën e Komunizmit, e deri në burgosjen në atë që pëlqejmë ta quajmë “Demokraci”.
Simon Simonidhi është gjyshi nga ana e nënës e të arrestuarit më të fundit të drejtësisë shqiptare, Kastriot Hasko. I lindur në Vuno në vitin 1881, në një familje tregtare dhe pronare tokash, Simonidhi ishte një ndër mjekët më të njohur në Shqipërinë Jugore. Atij i atribuohet edhe ndërtimi i klinikës së parë kundër malarjes, në qytetin e Vlorës.

Në vitin 1928, Simon Simonidhi ishte deputet në Parlamentin e Shqipërisë. Një njeri i përkushtuar për zhvillimin e bashkëqytetarëve të tij, Simonidhi, në atë kohë, i drejtoi një lutje qeverisë së Ahmet Zogut, për t’i vënë në dispozicion një inxhinjer, me qëllim ngritjen e një porti tregtar në Himarë.
Ky detaj u shfaq shumë vite më vonë. Në korrik të vitit 2017, Bashkia e Himarës dhe Drejtoria e Arkivës Qendrore organizojnë një aktivitet, në përkujtim të figurave të njohura dhe historike të zonës.
Mes fotove të prezantuara ishte edhe ajo e Simon Simonidhit, si edhe letra që ai i dërgonte qeverisë së Zogut.

Krahas aktivitetit si mjek dhe deputet, Simon Simonidhi ishte gjithashtu ortak në kompaninë ‘Sita”, e cila kishte marrë me koncesion kriporet në Vlorë, në Seman të Fierit e deri në Kavajë.
Historia e Simonidhit tregon se familja e tij ishte ndër më të pasurat në Shqipëri. Sipas dokumentacionit kadastral e arkivor të Rrethit Fier, të cituar më vonë në aktet zyrtare, familjes i njiheshin “830 hektarë tokë kripore në emër të Simo Nino Simonidhit dhe 530 hektarë në emër të Thanas Nino Simonidhit, në fushën e Semanit.
Me vendosjen e sistemit komunist në Shqipëri, familja Simonidhi, si shumë familje të tjera të pasura, pësoi persekutim të rëndë dhe konfiskim të pasurisë. Në vitin 1946, kompania e kriporeve “Sita” u shtetëzua, ndërsa të gjithë pronat e tyre u shpronësuan.
Kalvari me pronën në “Demokraci”
Me rënien e komunizimit, shumë ish-pronarë shqiptarë rritën shpresat për të rimarrë pronat që ua kishte konfiskuar regjimi. Me të drejtën natyrore në krah, Kastriot Hasko, djali i vajzës së Simon Simonidhit, si edhe trashëgimtarët e tjerë të tij, nisi procedurat ligjore për të rimarrë pronën e gjyshit.
Në vitin 1994, ata dorëzojnë të gjithë dokumentacionin e plotë pranë Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KKKP), në Fier. Institucioni, pasi kreu verifikimet përmes Kadastrës dhe Arkivit të Këshillit të Rrethit, i gjeti të drejta argumentat e trashëgimtarëve të doktor Simonidhit.
Me Vendimet nr. 84 dhe nr. 85, të janarit 1997, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vendosi kthimin trashëgimtarëve të Simon Simonidhit të sipërfaqeve 570 hektarë dhe 530 hektarë të lirë në fushën e Semanit.

Disa muaj më pas, Kryetari i Komisionit të Kthimit të Pronave, për këtë pronë, urdhëroi Komunën Topojë (Fier): “Zbatoni menjëherë dhënien e tokës, pasi trashëgimtarët gëzojnë të gjitha të drejtat e tokës private. Moszbatimi ju ngarkon me përgjegjësi”. Ky urdhër është përcjellë me shkresën nr. 621, datë 26 nëntor 1997.

Kur bëhet fjalë për prona, fjala “menjëherë” është tërësisht e papërshtatshme. Kastrio Hasko, si trashëgimtar i pronave të gjyshit të tij, arriti t’i regjistronte vetëm në vitin 2024.

Por, në vitin 2025, Ministria e Bujqësisë merr një vendim, që i rikujtoi trashëgimtarëve të doktor Simonidhit vitet e errëta të fillimit të komunizmit.
Ministria, nëpërmjet një vendimi të diskutueshëm, e dha këtë pronë me qera shumë-dekadëshe tek një subjekt privat. Sipas vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, sipërfaqja mbi 1.148 hektarë në Seman të Ri e Sheq Marinas deri tek Sektori i Plazhit, jepet me qira si “tokë shtetërore”.

Pas këtij vendimi, Agjencia Shtetërore e Kadastrës iu përgjigj interesimit të trashëgimtarëve të Simon Simonidhit se kontrata e qirasë u lidh, “në kushtet kur zona ka qenë e pamenaxhuar”.
Ky është një nga ato momentet ulëritëse. Trashëgimtarët e Simonidhit e fituan të drejtën e kthimit të pronës në vitin 1997. Kryetari i asaj kohe i Komisionit urdhëroi kthimin “e menjëhershëm” të pronës, gjë që nuk ndodhi nga autoritetet shtetërore për gati dy dekada.
Dhe, mungesën e vullnetit apo neglizhencën e strukturave shtetërore, ua ngarkuan sërish pronarëve të ligjshëm, duke ua rimarrë pronën, pasi “nuk ishte e menaxhuar”.
Lodhja sfilitëse shumë-vjeçare përballë shurdhërisë së shtetit, nuk kishte përfunduar. Subjekti privat që mori tokën me qira ngriti një padi në gjykatën civile, ku kërkonte “pavlefshmërinë absolute dhe falsitetin” e dokumentave, mbi të cilat ishte regjistruar prona në emër të trashëgimtarëve të doktor Simonidhit.

Padia u rrëzua në Apel, por ndërkohë, sfidat për ta nuk kishin përfunduar. Në vitin 2025, Prokuroria e Fierit nis një hetim për falsifikim dokumentash. Subjekti kryesor ishte Kastriot Hasko, trashëgimtari i Simon Simonidhit, si edhe punonjësit e Kadastrës së Fierit, përfshirë dy ish-drejtuesit, Ertis Shehu e Bardhyl Kapaj.
Në mesin e këtij shtatori, Prokuroria e Fierit dërgoi në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” për këta persona. Gjykata, në një seancë të zhvilluar pa praninë e palëve, vendosi pranimin e kërkesës.
Pak kohë më parë, Kastriot Hasko deklaroi në një emision televiziv për pronat e trashëguara: “Është amaneti i nënës time, do ta çoj deri në fund”. Amaneti mesa duket duhet të presë. Tashmë Kastrion Hasko po bën llogaritë me prangat, ashtu si paraardhësit e tij, të cilët u përballën me të njëjtën sfidë të rëndë në vitin e largët komunist, 1946.














