web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rama paralajmëron supermarketet dhe furnitorët: Mos i ngarkoni qytetarët, do t’i hapni punë vetes

18 Shtator 2026, 15:31, Politikë CNA

Rama paralajmëron supermarketet dhe furnitorët: Mos i ngarkoni

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë në vend, për të ndezur së shpejti “Pasqyrën e Çmimeve”, një platformë e re digjitale për transparencën e çmimeve.

Rama ka kërkuar bashkëpunim nga supermarketet dhe furnitorët për vendosjen në funksion të platformës. Sipas kryeministrit, qëllimi nuk është përcaktimi i çmimeve apo kufizimi i fitimeve, por krijimi i një tregu më transparent për konsumatorin.

“Eksperiencat që janë analizuar tregojnë që supermarketet kanë gjetur një gjuhë të përbashkët me qeveritë e caktuara”, tha Rama.

Më tej Rama iu drejtua furnitorëve dhe përfaqësuesve të supermarketeve duke thënë se ata janë të vetëdijshëm që po fitojnë më shumë sesa mban një bashkësi si e jona që nuk është as Kina dhe as Amerika.

“Vetëm një aktor këtu i pranishëm u përgjigj, të tjerët u zhdukën. Besoj jeni të vetëdijshëm që po fitoni më shumë sesa e mban zakoni i mirë në një bashkësi si e jona, që nuk është as Kina e as Amerika e ku ky kapitalizmi agresiv ka filluar të bëhet shqetësues.”

Rama udhëzoi që supermarketet të angazhohen në fazën e parë të projektit, duke dorëzuar të dhënat për produktet dhe pikat e shitjes.

“Të angazhohemi bashkërisht, jo në parim, por konkretisht! Ju të formoni rrjetin e pikave tuaja të shitjes, për të marrë pjesë në një fazë të parë pilot dhe të niset transmetimi i të dhënave. Të dorëzohet lista e produkteve që përputhen me kategoritë e kësaj faze, me bar cod, me njësi matëse. Kështu, produktet të jenë të krahasueshme. Të ekspozohet lista e plotë e të gjitha dyqaneve dhe adresave. Platforma të marrë çmimin real final për konsumatorin, me TVSH, dhe të dallojë qartë çmimin normal. Të përcaktohet një standard se sa shpejt ndryshojnë çmimet dhe platforma të tregojë edhe kur produkti nuk do të jetë në stok. Për qytetarin, ka ardhur koha të jetë shumë e thjeshtë, të shikojë, të krahasojë dhe të zgjedhë. Jo të jetë në errësirë dhe të përballet me çfarë i nxjerr rruga dhe të mos ketë një pasqyrë konkurrence. Do t'ju lutesha të binim dakord për këto gjëra, askush nuk po thotë që do të përcaktojmë çmimet apo se ju nuk do të nxirrni fitime, por ka ardhur momenti ta shikojmë njëri-tjetrin në sy”, deklaroi Rama.

Në fund, kryeministri iu drejtua furnitorëve duke kërkuar që fitimet të mos rëndojnë më tej mbi konsumatorët. Ai i paralajmëroi se nëse i ngarkojnë qytetarët do t’i hapin punë vetes.

“Fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë. Nëse i ngarkoni qytetarët, do t’i hapni punë vetes”, tha Kryeministri./ CNA





Lajmet e fundit nga