Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes një deklarate të përbashkët parlajmërojnë dërgimin në Kushtetuese të ligjit të sapomiratuar në Kuvend dhe të dekretuar nga Presidenti për pagat e magjistratëve.
Përmes qëndrimit unifikues, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Forumi i Grave Gjyqtare të Shqipërisë shprehin vendosmërinë e tyre për të vijuar ndjekjen e procesit kushtetues lidhur me pagat e magjistratëve.
Sipas deklaratës, shoqatat vlerësojnë se procedura e miratimit të ndryshimeve në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është shoqëruar me shkelje të kërkesave kushtetuese, përfshirë mungesën e një analize të plotë financiare, konsultimin joefektiv dhe hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit.
Për këtë arsye, theksojnë ata, do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes.
‘Kjo çështje, nuk lidhet me interesa financiare, por me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e shtetit të së drejtës’, thuhet më tej në qëndrimin zyrtar të shoqatave.
Deklarata:
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Forumi i Grave Gjyqtare të Shqipërisë shprehin vendosmërinë e tyre për të vijuar ndjekjen e procesit kushtetues lidhur me pagat e magjistratëve.
Shoqatat vlerësojnë se procedura e miratimit të ndryshimeve në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është shoqëruar me shkelje të kërkesave kushtetuese, përfshirë mungesën e një analize të plotë financiare, konsultimin joefektiv dhe hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit.
Për këtë arsye, shoqatat do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes.
Kjo çështje, siç është theksuar, nuk lidhet me interesa financiare, por me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e shtetit të së drejtës.
Shoqatat tona mbeten të palëkundura në mbrojtjen e këtyre parimeve dhe do të përdorin çdo mjet ligjor që Kushtetuta dhe ligji vënë në dispozicion.

© SYRI.net