AKTUALITET /

Skandali në tenderin e KQZ/ Si ndërhyu sekretarja në sistem për të favorizuar kompaninë e vëllait të Ferit Hoxhës

Sipas udhëzimit të APP-së, nëse provat nuk paraqiten, kërkesa për penalizimin e operatorit do të konsiderohet e paparaqitur

Shkruar nga Versus

Skandali në tenderin e KQZ/ Si ndërhyu sekretarja në sistem

Një tender i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me fond limit rreth 43 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve teknologjike ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e vlerësimit të ofertave dhe skualifikimin e njërit prej operatorëve pjesëmarrës.
Procedura me objekt “Mirëmbajtja e moduleve ekzistuese të KQZ-së” kishte një fond limit prej 42.9 milionë lekësh pa TVSH.
Në garë morën pjesë disa operatorë ekonomikë. Sipas të dhënave të procedurës, “EVOLVE WEB STUDIO” paraqiti ofertë prej rreth 33 milionë lekësh, ndërsa “INSTANT.AL” ofertë rreth 33.7 milionë lekë. Nga ana tjetër, bashkimi i operatorëve “INTELISOFT & WOW DIGITAL” paraqiti ofertë prej rreth 40.8 milionë lekësh.
Megjithatë, rezultati i garës u përcaktua jo vetëm nga oferta ekonomike, por edhe nga pikëzimi i kritereve teknike.
Sipas pretendimeve të ngritura lidhur me procedurën, gjatë fazës së rivlerësimit dy operatorët me ofertat më të ulëta janë vlerësuar me zero pikë në kriteret teknike, ndërsa ofertës së bashkimit “INTELISOFT & WOW DIGITAL” i janë dhënë pikët maksimale.

Skandali në tenderin e KQZ/ Si ndërhyu sekretarja në sistem
Pikëpyetje janë ngritur edhe mbi mënyrën e administrimit të procesit në sistemin elektronik. Ndërsa Komisioni i Vlerësimit të Ofertave përbëhej nga Daniela Alimemeti, Redion Lila dhe Fatjona Sulaj, në dokumentacionin e shqyrtuar nga Komisioni i Prokurimit Publik rezulton edhe përdoruesi “Jonakqz Josifi” në sistem gjatë fazës së rivlerësimit.
Një tjetër element i procedurës lidhet me skualifikimin e shoqërisë “INSTANT.AL”.
KQZ pretendoi se kompania kishte paraqitur dokumente me të dhëna të rreme për ekspertin Granit Gjana, konkretisht diploma dhe certifikata, dhe mbi këtë bazë i kërkoi Agjencisë së Prokurimit Publik nisjen e procedurës për përjashtimin e operatorit nga e drejta për të marrë pjesë në kontrata publike.
Por APP nuk e ka pranuar në këtë fazë kërkesën për penalizimin e kompanisë.
Në shkresën e Drejtorisë Juridike të APP-së thuhet se nga verifikimet e kryera, certifikatat dhe diploma e paraqitura nga “INSTANT.AL”, si dhe kodet QR që përmbanin këto dokumente, rezultonin në emër të Granit Gjanës.
Për këtë arsye, APP i ka kërkuar KQZ-së të kryejë verifikime të drejtpërdrejta dhe të dokumentuara pranë kompanisë lëshuese “Alison”, me qëllim që të përcaktohet nëse certifikatat dhe diploma janë lëshuar apo jo prej saj.Sipas udhëzimit të APP-së, vetëm nëse verifikimi zyrtar konstaton se dokumentet janë të falsifikuara, KQZ duhet t'i përcjellë provat pranë APP-së. Në të kundërt, nëse provat nuk paraqiten, kërkesa për penalizimin e operatorit do të konsiderohet e paparaqitur.

Skandali në tenderin e KQZ/ Si ndërhyu sekretarja në sistem
Në këtë mënyrë, procedura për “INSTANT.AL” mbetet ende e hapur dhe nuk ka një vendim përfundimtar të APP-së që ta përjashtojë kompaninë nga kontratat publike.
Në anën tjetër, në garë është edhe “INTELISOFT”, kompani e lidhur me biznesmenin Gëzim Hoxha. Hoxha është vëllai i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, si dhe pronar i kompanisë “FIRST”, e cila përmendet në shumë fashikuj të dosjes së AKSHI-t si një nga përfitueset kryesore të tenderëve publikë.
Të dhënat e hetimit zbulojnë se ai ka përfituar dhjetëra miliona euro nga arka e shtetit, ku vetëm në një rast ka deklaruar përfitimin e rreth 60 milionë eurove nga AKSHI, para që më pas janë transferuar te subjekte të lidhura, përfshirë bashkëpunëtorë si Ermal Beqiri.
Emri i Gëzim Hoxhës shfaqet po ashtu në aferën e “Durana Tech Park”, ku një grup kompanish të lidhura dyshohet se ndërtuan një skemë për transferimin e aktivitetit në parqe teknologjike me qëllim shmangien e taksave përmes subjekteve të reja, por me të njëjtët përfitues realë.

Tenderi i KQZ-së tashmë ngre disa çështje që kërkojnë sqarim: mënyra e pikëzimit teknik, përdoruesit që kanë pasur akses në sistem gjatë rivlerësimit, arsyetimi i skualifikimit të operatorëve me ofertat më të ulëta dhe, në mënyrë të veçantë, verifikimi zyrtar i dokumenteve mbi të cilat u mbështet një prej skualifikimeve.
Deri në përfundimin e verifikimeve të kërkuara nga APP, pretendimi për përdorimin e dokumenteve të rreme nga “INSTANT.AL” nuk mund të konsiderohet i provuar./vna

 

Poll