
Apartamenti ku jeton kardinali shqiptar Ernest Simoni, në Piazza Duomo të Firences, është grabitur nga hajdutë, të cilët kanë mundur të depërtojnë në banesë duke thyer murin dhe derën e sigurisë.
Mediat italiane shkruajnë se, autorët kanë marrë sende me vlerë rreth 30 mijë euro, mes tyre para cash, sende ari, bizhuteri, medalje dhe objekte të tjera personale.
Në momentin e grabitjes, kardinali 97-vjeçar nuk ndodhej në Firence, por në Londër, ku kishte zhvilluar një takim me Mbretin Charles. Në apartament jeton nipi i tij, Tonin Simoni, së bashku me bashkëshorten, të cilët gjithashtu nuk ndodheshin në banesë.
Sipas dëshmisë së Tonin Simonit, ata u larguan nga shtëpia rreth orës 13:00 dhe u kthyen rreth orës 23:00, kur konstatuan se banesa ishte grabitur.
Hajdutët kishin përdorur dy dalta për të thyer murin dhe për të hapur derën e blinduar. Mjetet e përdorura për grabitjen u gjetën të braktisura në korridor. Brenda apartamentit, dollapët, kutitë dhe valixhet ishin kontrolluar, ndërsa banesa ishte lënë në rrëmujë.
“Jemi të tronditur nga ajo që ndodhi. Ndiheshim të sigurt. Mund të kishim pritur gjithçka, përveçse hajdutët të arrinin të bënin një gjë të tillë në Piazza Duomo, ndoshta edhe në mes të ditës”, ka deklaruar Tonin Simoni.
Mes sendeve të marra nga grabitësit ndodhet edhe leja e qëndrimit të kardinalit Ernest Simoni, e cila mbahej në një sirtar.
“Vjedhja e këtij dokumenti është mjaft e çuditshme. Përveç nëse dikush ka pasur qëllim ta falsifikojë atë”, ka thënë nipi i kardinalit.
Autorët kanë marrë gjithashtu disa bizhuteri të bashkëshortes së Tonin Simonit, medalje, një vulë ari dhe para në dorë. Madje, mes sendeve të vjedhura është edhe një kabllo e një PlayStation-i të vjetër, që u përkiste fëmijëve të familjes.
Pas ngjarjes janë njoftuar menjëherë karabinierët, ndërsa ekspertët kriminalistikë kanë nisur hetimet për gjetjen e gjurmëve që mund të çojnë te autorët.
Hetuesit po analizojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e Piazza Duomo, e cila konsiderohet një nga zonat më të monitoruara të Firences.
“Është e pabesueshme që ata arritën të bënin diçka të tillë pikërisht këtu”, është shprehur Tonin Simoni.
Nipi i kardinalit tregoi gjithashtu se pas grabitjes e telefonoi menjëherë Ernest Simonin në Londër. Shqetësimi i parë i kardinalit nuk ishte për sendet me vlerë, por për objektet fetare që mbaheshin në dhomën e tij.
“Ai pyeti: ‘A e lanë statujën e Zonjës Sonë të Medjugorjes? Dhe statujën e Padre Pio?’ Kur e sigurova se statujat ishin të gjitha në vendin e tyre, ai tha: ‘Pra, nuk ka problem’”, rrëfeu Tonin Simoni.
Hetimet për grabitjen vijojnë, ndërsa policia po përpiqet të përcaktojë nëse autorët e kishin monitoruar më herët banesën dhe lëvizjet e familjarëve përpara se të kryenin vjedhjen./Versus.al

