
Dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Itali, në kuadër të dy fazave të operacionit të koduar “The Wanted”.
Operacioni është finalizuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet italiane, përmes koordinimit operacional dhe informativ mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Romës.
Të arrestuarit janë Muhamet Bedulla, 33 vjeç, dhe Uendi Bracja, 26 vjeç, ndaj të cilëve autoritetet shqiptare kanë lëshuar urdhërkërkime ndërkombëtare.
Muhamet Bedulla është dënuar në vitin 2018 nga Gjykata e Korçës me 10 vite burg për veprën penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë.
Sipas Policisë, në vitin 2017, gjatë një konflikti, 33-vjeçari ka tentuar të vrasë shtetasin A.S., të cilin e ka plagosur tri herë me mjet prerës, thikë. Nga dënimi i dhënë nga gjykata, Bedullës i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite e 4 muaj burgim.
Ndërkohë, në Itali është arrestuar edhe Uendi Bracja, 26 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Elbasanit ka caktuar në vitin 2025 masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Bracja akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Sipas të dhënave të Policisë, në vitin 2024 ai është kapur duke shitur lëndë narkotike Cannabis Sativa, ndërsa dyshohet se ka mbajtur në banesë një sasi të konsiderueshme fishekësh luftarakë dhe dy krehra pistolete.
Tashmë, Interpol Tirana dhe Interpol Roma po vijojnë procedurat për ekstradimin e dy shtetasve drejt Shqipërisë, ku ata do të përballen me procedurat e mëtejshme gjyqësore dhe ekzekutimin e vendimeve përkatëse./Versus.al

