I ftuar në edicionin e pasdites në Syri TV, gazetari Enton Abilekaj u ndal te debati për pagat e gjyqtarëve dhe magjistratëve, duke e cilësuar atë si një përplasje mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.
Abilekaj tha se Gjykata Kushtetuese, KLGJ dhe KLP kanë kërkuar që indeksimi dhe rregullimi i pagave të bëhet automatikisht, pa ndërhyrjen e qeverisë.
Gazetari u shpreh se ky mekanizëm do të garantonte pavarësi ekonomike dhe financiare për pushtetin gjyqësor, ndërsa qeveria, përmes ligjit të miratuar, synon të mbajë në dorë mënyrën e përcaktimit të pagave.
“Besoj kjo është një luftë pushtetesh, jo luftë pagash”, u shpreh Abilekaj, duke argumentuar se thelbi i debatit nuk është nëse paga e gjyqtarëve rritet apo ulet me disa mijëra lekë, por kush e përcakton atë.
Gazetari deklaroi se ligji i jep ekzekutivit mundësinë të ndikojë në sistemin e pagave të gjyqtarëve dhe magjistratëve dhe shtoi se, nëse ligji dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ai pret që të rrëzohet.
Ai tha se çështja përbën një ndërhyrje të hapur të qeverisë në pushtetin gjyqësor.
Pjesë nga intervista:
Gjykata Kushtetuese, KLGJ dhe KLP kërkuan që preferuan që kjo të bëhet vetvetiu, pra të mos jetë në dorë të qeverisë indeksimi apo rregullimi i pagës së magjistratëve, por të bëhet vetvetiu në momentin që qeveria të shikojë pagën. Pra, krijon dhe pushteti gjyqësor një pavarësi ekonomike dhe financiare, që të mos varen nga qeveria. Mos të bëjë llogaritë ministri i Financave se sa duhet ta ketë magjistrati, apo sa do ta ulin magjistratin, apo t’ia fshehim magjistratit, por në momentin që duhet ndryshuar pagat, mos të ketë fare dorë qeveria.
Pikërisht këtë nuk donte qeveria. Për këtë arsye miraton një ligj që ta llogarisë vetë pagën e gjyqtarëve dhe magjistratëve sa herë do ajo, mënyrat si do ajo, duke e krijuar një raport i cili është i pashembullt në asnjë vend të botës.
Besoj, kjo është një luftë pushtetesh, jo luftë pagash, sepse është një pushtet gjyqësor që kërkon që pagat e tyre të mos kontrollohen nga qeveria dhe është qeveria që kërkon që pagat e gjyqtarëve e magjistratëve të kontrollohen prej saj gjithmonë.
Prandaj, kjo është një luftë mes pushteteve dhe prandaj vazhdon debati. Nuk është çështja sa e lartë apo e ulët është paga, por kush e përcakton pagën. E ligji apo qeveria, apo ia lëmë Maliqit në dorë që ta bëjë si të dojë indeksimin dhe rritjen e pagës. Qeveria do ta ketë në dorë vetë këtë gjë, këtë mjet.
Prandaj, Gjykata Kushtetuese prapë do ta rrëzojë këtë ligj, në qoftë se gjyqtarët do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese, pasi është një ligj që i jep të drejtën ekzekutivit të ndrydhë sistemin gjyqësor, jo se llogaritet paga më e ulët apo më e lartë se ato 10 mijë lekë të reja në pagë që mund të ulen. Nuk përbëjnë një problem të madh për ata që i kanë rrogat mbi 3 apo 4 milionë të vjetra, por është një ndërhyrje e qeverisë e hapur në gjyqësor.
Ky është mentaliteti i qeverisjes Rama.
© SYRI.net