Grabitet shtëpia e kardinalit Ernest Simoni në Itali, ja çfarë morën hajdutët

Një grabitje e pazakontë ka ndodhur në zonën më të frekuentuar të Firences, në Itali. Hajdutët kanë grabitur shtëpinë e kardinalit shqiptar Ernest Simoni.
Mediat italiane raportojnë se banesa e kardinalit 97-vjeçar shqiptar ndodhej në zemër të Firences, në Curia, në Piazza Duomo.
Në apartamentin që u grabit jetonte kardinali shqiptar, bashkë me nipin e tij, Tonin, dhe bashkëshorten e këtij të fundit.
Sipas mediave italiane, autorët e grabitjes kishin mbërritur të pajisur me mjetet e nevojshme për të çarë murin dhe për të hapur derën e blinduar të banesës, si dhe për t’u arratisur me një shumë të konsiderueshme parash dhe sendesh me vlerë.
Dëmi dhe vjedhja kapin vlerën e rreth 30 mijë eurove. Në mesin e sendeve të marra kishte para cash, objekte ari, disa bizhuteri, medalje dhe një vulë ari.
Në momentin kur ndodhi grabitja, kardinali Simoni nuk ndodhej në Firence. Ai është aktualisht në Londër, ku ka zhvilluar një takim me mbretin Charles.
Sipas mediave italiane, as nipi i tij, Tonin, dhe as bashkëshortja e tij nuk ishin në banesë. Ata ishin larguar rreth orës 13:00 dhe u kthyen rreth orës 23:00, kur zbuluan se shtëpia ishte grabitur.
Kur u kthyen në banesë, familjarët gjetën një pjesë të murit të dëmtuar rëndë. Hajdutët kishin përdorur dy dalta, të cilat më pas i kishin lënë në shkallët e pallatit. Ata kishin arritur të hapnin derën e blinduar dhe më pas kishin kontrolluar dollapët, valixhet dhe kasafortat, duke lënë banesën tërësisht rrëmujë.
Pavarësisht kohës që duket se është dashur për të çarë murin dhe për të hapur derën e blinduar, askush nuk kishte vënë re asgjë. As fqinji në katin poshtë nuk kishte dëgjuar apo konstatuar diçka të dyshimtë.
Policia italiane ka nisur një hetim dhe po punon për zbardhjen e kësaj grabitjeje të pazakontë.




