POLITIKË /

Rama paralajmëron pronarët e supermarketeve: Ulini çmimet ose do të thoni "ç'na u desh fitimi"!

Shkruar nga Versus

Rama paralajmëron pronarët e supermarketeve: Ulini çmimet ose

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësues të rrjeteve të supermarketeve dhe furnitorët kryesorë në vend, ku diskutoi për vënien në funksion të platformës së re digjitale “Pasqyra e Çmimeve”.

Platforma synon t’u japë konsumatorëve mundësinë të krahasojnë çmimet e produkteve në supermarkete të ndryshme dhe të zgjedhin pikën e shitjes ku i gjejnë më lirë.

Gjatë takimit, Rama u bëri thirrje rrjeteve të supermarketeve që të marrin pjesë në fazën pilot dhe të nisin transmetimin e të dhënave.

Ai kërkoi që lista e produkteve të përmbajë barkodin, markën, gramaturën dhe njësinë matëse, në mënyrë që produktet të jenë të krahasueshme mes operatorëve të ndryshëm.

Rama kërkoi gjithashtu që platforma të pasqyrojë çmimin final që paguan konsumatori, përfshirë TVSH-në, si dhe të bëjë dallimin mes çmimit normal dhe atij promocional, duke treguar edhe periudhën e vlefshmërisë së ofertës.

“Qytetari të shikojë, të krahasojë, edhe të zgjedhë, jo të jetë në errësirë dhe të përballet me çfarë i sjell rruga”, deklaroi kryeministri.

Rama tha se nisma nuk synon ndërhyrjen e qeverisë në përcaktimin e çmimeve apo ndalimin e fitimit të bizneseve.

“Askush s’po ju thotë që ne të përcaktojmë çmimet se do ishte marrëzi. Askush s’po ju thotë të mos nxirrni fitime. Por ka ardhur një moment që ta shohim njëri-tjetrin në sy”, u shpreh ai.

Kryeministri kritikoi gjithashtu nivelin e çmimeve dhe marzhet e fitimit, duke thënë se sipas tij modeli aktual i tregtimit po krijon shqetësim për konsumatorët.

“Po fitoni më shumë nga ç’e mban zakoni i mirë në një bashkësi si e jona që s’është as Kina, as Amerika, dhe ku ky kapitalizmi agresiv ka filluar të bëhet shqetësues për të gjithë”, tha Rama.

Në përfundim, kryeministri paralajmëroi se qeveria nuk do të pranojë që konsumatorët të përballen me ngarkesa që, sipas tij, nuk justifikohen nga kushtet e tregut.

"Të angazhohemi bashkërisht, konkretisht, që të rrjeti i pikave tuaja të shitjes të marrin pjesë në një fazë pilot dhe të nis transmetimi i të dhënave. Të dorëzohet lista e produkteve që përputhet me kategorinë e kësaj faze, me barkod, me gramaturë, me njësi matëse, në mënyrë që të produktet të jenë të krahasueshme mes gjithë rrjeteve. Platforma për të marrë çmimin real final për konsumatorin, me TVSH, dhe të dallojë çmimin normal nga promocioni dhe periudha e vlefshmërisë. Qytetari të shikojë, të krahasojë, edhe të zgjedhë, jo të jetë në errësirë dhe të përballet me çfarë i sjell rruga në errësirë, dhe mos ketë një pasqyrë konkurrence, ku më i shkathëti dhe më i shpejti të fitojë më shumë. Askush s’po ju thotë që ne të përcaktojmë çmimet se do ishte marrëzi. Askush s’po ju thotë të mos nxirrni fitime. Por ka ardhur një moment që ta shohim njëri-tjetrin në sy. Por që të ngarkoni njerëzit ne s’do t’ua lejojmë, do jetë problem i madh, do thoni çfarë i hapëm vetes, në djall ato që po i fitojmë pa të drejtë”, tha Rama.

 

Poll